TIRANË – Me ndeshje sportive mes klasave dhe festë janë inauguruar ambientet e reja sportive të dy shkollave (asaj 9-vjeçare dhe të mesme), që i rrinë në krah njëra-tjetrës, në Kashar. Me financim të Programit për Zhvillim Rajonal Shqipëri – Faza III, me një vlerë prej 59,971 Eurosh është kryer rikonstruksioni i fushës ekzistuese të minifutbollit, ndërtimi i një fushë multisporti në shkollën e mesme “Sadik Stavileci” si dhe ndërtimi i një fushë multisport në shkollën 9-vjeçare “Katund i Ri”, të cilat ndodhen në njësinë administrative Kashar, në Bashkinë Tiranë. Sipërfaqja e ndërtimit është rreth 714 metër katror dhe punimet kanë filluar në Nëntor të vitit të kaluar për të zgjatur jo më shumë se katër muaj.

Sipas llogaritjeve të projektit popullsia përfituese është rreth 80 mijë banorë ndërsa me ambientet e reja janë përmirësuar kushtet në të cilat zhvillohet lënda e edukimit fizik për 700 nxënësit e shkollës “Katund i Ri” dhe 600 nxënësit e shkollës së mesme “Sadik Stavileci”. Gjithashtu referuar Strategjisë Kombëtare “Shkolla Qendër Komunitare” dhe planit të veprimit të Bashkisë Tiranë, ambientet e të dy shkollave jashtë orarit mësimor do të jenë të hapura për komunitetin.  

 

 
Punimet e kryera në këto dy shkolla janë përqendruar në rikonstruksionin e fushës ekzistuese të minifutbollit dhe ndërtimit të një fushë te re multisport me sipërfaqe 379 metër katrore në shkollën “Sadik Stavileci’. Është ndërtuar një fushë multisport me një sipërfaqe prej 335 metër katrorë në shkollën “Katund i Ri”, është bërë rrethimi i fushave me rrjetë metalike më lartësi 2 metër dhe rrjetë plastike me lartësi 3 metër. Janë vendosur ndriçues projektorë, porta minifutbolli me rrjeta, statikë për koshat e basketbollit, statikë dhe rrjeta volejbolli, tabelat e basketbollit, koshat etj.

Ambientet e reja sportive janë mirëpritur nga 1300 nxënësit e këtyre dy shkollave.