Investimet për Beratin, rivitalizim i zonës historike dhe urbane në funksion të zhvillimit të turizmit
Rikonstruksioni i rrugës “Mihal Komeno” i dha zgjidhje përfundimtare problemeve të hershme me kanalizimet nëntokësore, si dhe lidhjet me internetin dhe telefoninë. Nga ana tjetër, pika panoramike e Tabjes pas prishjes së objektit të antenave televizive është rehabilituar e gjitha.
TIRANË – Investimet që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po kryhen në qytetin e Beratit për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore u inspektuan sot nga Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri i shoqëruar edhe nga Drejtori Ekzekutiv i FSHZH, z.Dritan Agolli u ndal në rrugën “Mihal Komneno”, rruga këmbësore që të çon për në kalanë e qytetit pjesë e trashëgimisë botërore UNESCO dhe në pikën panoramike të Tabjes. Të dyja këto pika të rëndësishme kulturore dhe historike të qytetit janë rikonstruktuar gjatë muajve të fundit në kuadër të projektit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” që zbatohet nga FSHZH.
Rikonstruksioni i rrugës “Mihal Komeno” i dha zgjidhje përfundimtare problemeve të hershme me kanalizimet nëntokësore, si dhe lidhjet me internetin dhe telefoninë. Rikonstruksioni i fundit kësaj rruge datonte 36 vite me parë. Por përdorimi i kësaj rruge edhe nga automjetet kishte dëmtuar kalldrëmin. Ndërkohë, banorët dhe bizneset përgjatë rrugës prej kohësh ankoheshin mbi mungesën e rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe vështirësitë e këmbësorëve për ta përshkruar si rrugë veçanërisht në kohë me shi.
Berati vizitohet mesatarisht nga 59,000 turistë në vit, ndërkohë që rreth 700 banorë jetojnë në zonën Kalasë, të cilët përfitojnë nga ky investim.
Krahas rrjetit inxhinierik nëntokësor, punimet kanë konsistuar edhe në shtrimin e 5.800 m2 kalldrëm me gur të zi gëlqeror të marrë nga zonat përreth që garanton mobilitet të sigurtë për këmbësorët, por njëkohësisht krijon edhe uniformitet të rrugës me gurët e kalasë. Po ashtu janë instaluar edhe ndriçues, gjë që mundëson përdorimin e rrugës edhe gjatë natës, e njëkohësisht synon tí japë një shtysë të mëtejshme aktiviteteve për turistët dhe vizitorët.
Nga ana tjetër, pika panoramike e Tabjes pas prishjes së objektit të antenave televizive është rehabilituar e gjitha. Zona është sistemuar me gjelbërim, ndriçim dhe mobilim urban, krerët e mureve janë restauruar dhe janë vendosur edhe parmakë metalikë për sigurinë e vizitorëve që dëshirojnë të përdorin pikën e vrojtimit të instaluar rishtas dhe nga ku mund të shijojnë pamjen piktoreske mbi qytet, mbi luginën e Osumit dhe lagjen Goricë.
Rruga “Mihal Komneno”dhe pika panoramike e Tabjes në kala ishin ndërhyrjet e para që u ndërmorën në kuadër të programit PZHIUT që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Bashkia e Beratit ka rretj 70,000 banorë dhe është një nga 4 bashkitë që përfitojnë nga ky projekt. Paketat e investimeve të PZHIUT kanë për qëllim realizimin e ndërhyrjeve të integruara në rehabilitimin e infrastrukturës urbane duke përmirësuar cilësinë e jetesës së lokaleve dhe infrastrukturën pritëse turistike.
Paketat e investimeve për Beratin synojnë të lehtësojnë qarkullimin e banorëve dhe turistëve e vizitorëve, numri i të cilëve është gjithmonë në rritje dhe kthimin në përdorim këmbësor dhe qarkullim të menaxhuar të lëvizjes së automjeteve të shërbimit publik dhe residencial.
Investimi i radhës që parashikohet të ndërmerret në kuadër të PZHIUT është rehabilitimi i rrugës “Muzak Topia” që do të shërbejë si rruga e vetme automobilistike për në kala. Ndërhyrje përmirësuese dhe rigjeneruese parashikohen edhe brenda qytetit. Qëllimi është përmirësimi i lëvizshmërisë dhe lidhjes mes qendrës historike dhe pjesës tjetër të qytetit, si dhe rivitalizimi i zonave të tjera të qytetit, si për shembull në lagjen Gorricë ku tani për tani aktivitetet janë të vakëta.