IMPRECO – Ngrihet Task Forca për shfrytëzimin e qëndrueshëm të ekosistemeve në Liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna
TIRANË – Strategjitë e përbashkëta dhe praktikat më të mira mbi përmirësimin e mbrojtjes rajonale të ekosistemeve në Liqenin e Shkodrës dhe lumin Bunë ishin në fokus të një trajnimi që Fondi Shqiptar i Zhvillimit organizoi disa ditë më parë në Shkodër me autoritete vendore, organizata të shoqërisë civile, autoritetet e menaxhimit të zonave të mbrojtura, etj.
Trajnimi u organizua në kuadër të projektit IMPRECO që financohet nga Fondi Europian për Zhvillimin Rajonal nëpërmjet programeve Interreg ADRION, ku FSHZH është partneri për Shqipërinë.
IMPRECO synon krijimin e rrjetit të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve fqinje që janë në proces aplikimi për anëtarësim, me qëllim zbatimin e strategjive dhe politikave të përbashkëta për mbrojtjen e ekosistemeve nga aktiviteti njerëzor dhe përmirësimin e shërbimeve të që ofrohen në to.
Trajnimi bëri bashkë aktorë që kanë interes të drejpërdrejtë ose përgjegjësi për Liqenin e Shkodrës dhe lumin Bunë. Aktorët e interesit janë ndarë në katër kategori që janë ndarë bazuar në parimin e spirales së katërfishtë dhe që përfshin: komunitetet lokale dhe përdoruesit e fundëm (banorë, peshkatarë, bletërritës, etj.), bizneset, institucionet e qeverisjes vendore dhe lokale, si dhe rrethet akademike.
Takimi ishte një forum i hapur ku aktorët e interesit u njohën me aktivitetet dhe rezultatet e pritshme të projektit IMPRECO dhe diskutuan hapur për problematikat dhe çështjet që kanë nevojë të adresohen për të garantuar shfrytëzimin e qëndrueshëm të zonës së mbrojtur të Liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna. Në fund të diskutimeve u krijua një Task Forcë e Përbashkët, e cila shërben edhe si strukturë e rrjeteve lokale që lidh zonat e mbrojtura me grupet e interesit. Në këtë mënyrë shpresohet të nxitet bashkëpunimi për të harmonizuar interesat e secilit prej grupeve për një impakt të qëndrueshëm në mbrojtjen e ekosisitemeve dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre.