TIRANË – Elbasani dhe Shkodra ishin ndalesat e fundit të takimeve rajonale që Fondi Shqiptar i Zhvillimit kishte ndërmarrë prej javës së kaluar me qëllim vendosjen e një kuadri të qartë bashkëpunimi afatgjatë për projekte zhvillimi të integuara me njëra – tjetrën dhe që sjellin impakt në nivel rajonal.

FSHZH do të mbështesë bashkitë për nevojat që mund të kenë për konceptim dhe hartim projektesh, deri te gjetja e mundësive të financimit dhe zbatimi.  Koordinatorja e Njësive Rajonale të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Ermira Mustafaj bashkë me drejtuesit e Njësive Rajonale Korçë dhe Shkodër, Marsela Karpuzi e Shpëtim Quku nënvizuan se është shumë e rëndësishme që në bashkëpunim me bashkitë të krijohet një databazë e përbashkët për projektet prioritare në infrastrukturë, turizëm dhe zhvillim ekonomik.

Një databazë e përbashkët me projektet prioritare mundëson një panoramë më të qartë në nivel rajonal të investimeve të nevojshme për ndikim jo vetëm në nivel bashkie apo qarku, por edhe më gjerë. Kjo qasje e re në planifikimin e investimeve dhe integrimin e tyre në programe zhvillimore ka për qëllim të harmonizojë më mirë interesat e bashkive dhe të aktorëve të interesit që preken nga projektet.

 

 
Takimet gjithashtu u fokusuan edhe në kriteret dhe kushtet e aplikimit për thirrjen e shpallur në kuadër të programit “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale”.

(Shpallje e Thirrjes I për financimin e projekteve nga programi “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale”, për vitin 2019)

Në dhjetor FSHZH ka bërë shpalljen e thirrjes së parë për bashkitë që mund të përfitojnë nga ky program për zhvillimin rajonal me fokus në përmirësimin e infrastrukturës rrugore lidhëse mes njësive vendore dhe projekteve që shërbejnë si katalizator i rivitalizimit urban dhe rural.

Njësitë rajonale të Fondit Shqiptar të Zhvillimit janë konceptuar si një instrument në dispozicion të bashkive për të marrë të gjithë nxitjen dhe mbështetjen e nevojshme për projektet e tyre.