TIRANË – Ka filluar puna në LOT-in I të Unazës Bujqësore të Myzeqesë, një aks me gjatësi 11 km në shërbim të ekonomisë rurale.

Kjo vepër infrastrukturore financohet nga qeveria shqiptare nëpërmjet programit Rilindja Rurale dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Unaza e re integron investimet e mëparshme. Rruga lidh Lushnjen, Fierin dhe Beratin dhe siguron infrastrukturë me standarde për 40 mijë banorë.

Më konkretisht, fshatrat Bubullimë, Krutje dhe Fier-Shegan lidhen me autostradën Lushnje-Fier dhe Lushnje-Berat.

 

 

Unaza do të jetë me 2 korsi për automjete, trotuarë me gjerësi 2 metra dhe sistem ndriçimi në zonat e banuara. Infrastruktura nëntokësore për kanalizimet e ujërave dhe ndriçimit do të ndërtohet nga fillimi.

Në të gjithë zonën janë rreth 6700 ha tokë e kultivuar, 189 ha serra dhe 93 ha pemë. Unaza do t’i shërbejë ekonomisë rurale dhe eksporteve të një zone ku prodhimi rritet vit pas viti.

Nga pikëpamja e zhvillimit rural ky projekt siguron kosto më të ulëta prodhimi dhe shitje, rritje dhe diversifikim të prodhimit bujqësor.

Ndërtimi i Unazës Bujqësore të Myzeqesë pritet të përfundojë në vitin 2020.