Projekti PZHIUT në Gjirokastër: Standard i ri në punime dhe mentalitetin investues
Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci priti përfaqësues të shoqatës “Gjirokastra”, të cilët u njohën me paketën e investimeve që po ndërmerren në këtë bashki në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik”, që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore.
Drejtori Ekzekutiv, Benet Beci tha se takimi me përfaqësues dhe specialistë të nderuar të Gjirokastrës ishte një moment i veçantë për Fondin Shqiptar te Zhvillimit. Sipas Becit, takimi ishte i veçantë ashtu si vetë ndërhyrja rivitalizuese qe po kryhet në këtë qytet, një nga pasuritë arkitektonike e kulturore të njerëzimit.
“Janë 15 milionë Euro që do të investohen në të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Në qytet do të investohet për rekuperimin e krejt rrjetit inxhinierik në qendrën historike, për përforcimin e qëndrueshmërisë tektonike dhe restaurimin e godinave muzeale,” tha Beci.
Në emër të FSHZ, Drejtori Ekzekutiv falenderoi personalitetet për preokupimin qytetar, sugjerimet, përvojën e ofruar dhe rekomandimet me vlerë. Në emër të stafit, z. Beci i siguroi të pranishmit se kjo ndërhyrje inxhinierike në një nga sitet më të vlerësuar turistik, padyshim do jetë një standard i ri në punimet dhe mentalitetin investues.
“Ky investim do t’i shërbejë rritjes së fluksit turistik dhe zhvillimit ekonomik e turistik të qytetit, rajonit e më gjerë,” theksoi ai.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shoqatës dhe specialistët shprehën vlerësimin maksimal për investimet në Gjirokastër. Investime që për ta ishin të shumëpritura.
“Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik” që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës Botërore. Paketat e investimeve në infrastrukturë dhe produkte turistike në zonën që përfshin bashkitë Gjirokastër, Përmet, Berat dhe Sarandë kapin shifrën e 63 milionë eurove.
Në Gjirokastër investimet fokusohen në restaurimin e kalldrëmeve, ndriçimin e Qafës së Pazarit dhe rehabilitimin e hapësirave urbane, përmirësimin i aksesit në kala, rivitalizim i rrugëve ndërlidhëse për të lehtësuar mobilitetin e qytetarëve dhe turistëve dhe sistemin e ri të muzeve sipas një koncepti të ri dhe bashkëkohor.
Si portë kryesore kufitare me Greqinë në Gjirokastër, kryqëzohen akse korridoresh kombëtarë të rëndësishëm, ç’ka e bën atë një pol të rëndësishëm ekonomik dhe turistik jugut.