FSHZH dhe Banka Botërore lançojnë zyrtarisht programin për investime në rrugë me rëndësi rajonale
TIRANË – Investime në rrugë që sjellin impakt në zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë është qëllimi i përgjithshëm i programit “Rrugët Lidhëse Rajonale dhe Lokale” që u lançua sot në mjediset e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, z. Benet Beci theksoi në fjalën e tij se ky program vjen pas një viti e gjysëm përgatitje dhe është rezultat i nismës së Qeverisë për të financuar në rrjetin rrugor dytësor të vendit veçanërisht në zonat me potencial turistik e bujqësor.
“Këto rrugë që do të financohen nga projekti kanë në fokus kontributin në sektorët e bujqësisë dhe turizmit në vend. Ata janë të koordinuar me programe të Qeverisë për nxitjen e turizmit bregdetar e malor, por edhe të turizmit rural e agropërpunimit, duke qenë të koordinuar edhe me programin e 100 fshatrave. Është e rëndësishme të thuhet se investimet janë të ndërthurura me një sërë programesh investimi të Qeverisë e donatorëve,” tha z. Beci.
Përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, znj. Maryam Salim vuri në dukje se rrugët e rindërtuara do të nxisin zhvillimin e turizmit dhe të agrobiznesit në zonat e evidentuara, si dhe do të mbështesin bashkitë përftuese me asistencë teknike sipas nevojave të tyre.
“Ky është një program i rëndësishëm që do të kontribuojë në përmirësimin e qasjes në qendrat e përzgjedhura të bujqësisë dhe turizmit, si dhe kapacitetin e bashkive për të menaxhuar asetet e tyre rrugore”, tha Salim.
Programi në fjalë është është ndërtuar mbi dy shtylla kryesore: reduktimin e kohës dhe kostos së udhëtimit për shkak të rrugëve më të mira dhe më të shpejta; dhe lidhja e shtuar me qendrat turistike dhe qasja e prodhuesve bujqësorë drejt tregjeve dhe qendrave agro-përpunuese. Popullsia përftuese nga projekti parashikohet të jetë rreth 80,000 banorë si përdorues direkt apo indirektë të rrugës.
Më poshtë fjala e plotë e Drejtorit Ekzekutiv, Benet Beci në lançimin e projektit:
E nderuar Zj. Salim, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri,
E nderuar Zj. Xiong, Drejtuese e Projektit,
Të nderuar kryetarë të Bashkive dhe përfaqësues të ministrive,
Është kënaqësi e veçantë që të mirëpres pranë zyrave të Fondit Shqiptar të Zhvillimit takimin për lançimin zyrtar të Projektit të Ndërlidhjes Lokale e Rajonale. Projekti financohet nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet një kredie prej 50 mln USD nga Banka Botërore. Projekti do të financojë investime në rrjetin rrugor kryesisht në zona të një rëndësie të veçantë nga këndvështrimi i zhvillimit të turizmit. Me konkretisht kredia do të financojë ndërtimin e rrugëve: Pogradec-Tushemisht në bashkinë e Pogradecit, Qarku Korçë: Fier – Seman në bashkinë Fier dhe rrugën Qafë Thore – Theth që kompleton lidhjen e Thethit me rrjetin rrugor të asfaltuar.
Ka mundësi që kredia të mund të financojë edhe segmente të tjera nëse kostot do e lejojnë. Kolegët do të flasin më në detaje, por projekti përveç investimeve të drejtpërdrejta në këto rrugë dhe kostove të supervizioneve të lidhura me to përshin edhe një asistencë teknike në lidhje me çështjen e mirëmbajtes së rrugëve dhe punën me bashkitë për maksimizimin e përfitimit nga këto rrugë, kryesisht në sektorët e bujqesise dhe turizmit si sektorë kyç të ekonomisë rurale.
Pavarësisht se sot në lançojmë projektin zyrtarisht, puna për projektin ka nisur më shume se një vit e gjysëm përpara. Ka qenë një nismë e Qeverisë për të financuar në rrjetin rrugor dytësor të vendit veçanërisht në zonat me potencial më të rëndësishëm turistik e bujqësor. Për këtë arsye vitin e kaluar FSHZH u kërkoi të gjitha bashkive të dërgonin projektet e tyre më të rëndësishme rrugore në fushen e ndërlidhjes rajonale.
Një bazë e plotë të dhënash është krijuar pranë FSHZH para disa vitesh dhe u rifreksua me fillimin e projektit. Është e rëndësishme që nga prioritetet e ardhura nga Bashkitë një grup i rrugëve po financohet nga Banka Botërore por edhe nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet financimeve në vijim me FSHZH si agjenci zbatuese. Së shpejti BERZH do të aprovojë një tjetër kredi po në shumen 50 mln USD, që do të financojë rrugë në bashki të vendit si pjesë e të njëjtit program.
Projektet e zbatuara nga FSHZH në fushën e infrastukturës rrugore rurale kanë rezultuar mjaft të suksesshëm si në cilësi e jetëgjatesi por po ashtu edhe përsa i përket ndikimit të investimeve në jetën e komuniteteve vendore. Nga studimet e ndikimit të investimeve rezulton se rrugët rurale sjellin përfitime të shumëllojshme. Këto përfshijnë:
- Kohë më e shkurtër udhëtimi për në qendrat perreth.
- Vlerë më të lartë të tokës e banesave në komunitetet përfituese.
- Përmirësim i aksesit dhe i përdorimit të shërbimeve sociale shëndetësore e arsimore.
- Rritje të shpenzimeve të konsumit e ndikim pozitiv në të ardhurat familjare krahas rritjes së mundësive për punësim.
Këto rrugë që do të financohen nga projekti kanë si fokus kontributin në sektorët e bujqësisë dhe të turizmit në vend. Ata janë të koordinuar me programe të Qeverisë për nxitjen e turizmit bregdetar e malor por edhe të turizmit rural e agropërpunimit, duke qenë të koordinuar edhe me programin e 100 fshatrave. Është e rëndësishme të thuhet se investimet janë të ndërthurura me një sërë programesh investimi të Qeverisë e donatoreve. Më kokretisht:
- Rruga Pogradec-Tushemisht kontibuon në një lidhje më të mirë ndërkufitare me Maqedoninë dhe në largimin e trafikut nga Bregu i Liqenit, projekti është i koordinuar hap pas hapi edhe me programet e Qeverisë dhe të Fondit Shqiptaro-Amerikan për zhvillimin e zonës Drilon-Tushemisht si një model i një zhvillimi të qëndrueshem.
- Rruga Qafë Thore-Theth lidh Thethin, një ndër pikat më të rëndësishme të Alpeve Shqiptare me një rrugë të parametrave të mirë.Aktualisht rruga është veç të tjerash edhe shumë e rrezikshme dhe penguese për turizmin në zonë. Rruga është identifikuar si një ndër piroritetet kryesore të Masteplanit të Alpeve, mbështetur nga FSHZH gjatë 2 viteve dhe miratuar në Qeveri në Dhjetor të vitit të kaluar. Masterplani hedh bazat e një zhvillimi afat-gjatë të një turizmi të suksesshëm në zonë.
- Rruga Fier-Seman krijon një akses me parametra optimale në bregdetin e bashkisë Fier duke përshkuar në të njëjtën kohë një zonë me dendësi të lartë popullsie dhe instensitet të lartë të prodhimit bujqësor. Rruga kalon në fshtara që janë pjesë e programit të 100 fshatrave dhe krjon një akses më të mirë të parkut të Apollonisë nga Fieri. Së bashku me përfundimin e investimit të Bypassit të Fierti dhe diskutimet për hartimin e një masteplani për shfrytëzimin e gjithë bregdetit të zonës krijon një mundësi fantastike për zhvillimin në mënyrë të përgjegjshme të një zone shumë të përshtatshme për tërheqjen e investimeve në fushën e turizmit.
Puna për projektimin e rrugëve ka filluar shumë më herët dhe tani jemi në fazën përfundimtare të finalizimit të tyre. Projektet janë financuar nga Qeveria Shqiptare me synim që të fillojmë menjeherë përdorimin e kredisë për investime. Besojmë se në pranverën e ardhshme do të kemi filluar punë në të tre segmentet rrugore. Vlen të theksohet se standardet e projektimit të rrugëve janë me parametra optimale të rrugëve rurale dhe me parametra urbane në zonat e banuara përfshirë të gjithë elementet si trotuare, ndriçim etj.
Së fundmi, më lejoni të theksoj se që nga viti 1993 kur është themeluar FSHZH ka pasur vazhdimisht financim nga projekte të Bankës Botërore. Përveç vlerës së konsiderueshme të financimit nga projektet e Bankës; mbi të gjitha Banka ka qenë një partner shumë i rëndësishëm dhe afat-gjatë në rritjen insititucionale të organizatës.
Së bashku me Bankën kemi kaluar nga financimi i projekteve të vogla e të shpërndara në territor në programe sektoriale të rëndësishme në nivel kombëtar si programi i rrugëve, në projekte me një qasje të integruar territoriale si programi i zhvillimit të integruar urban e turistik në Jug të Vendit. Bashkëpunimi me stafet profesionale të Bankës Boterore ka qenë në çdo rast një kombinim me vlerë për projekte të suksesshme dhe për rritjen e forcimin e FSHZH-së. Jam i sigurt se edhe ky projekt do të jetë po kaq i suksesshëm si për Bankën Botërore edhe për Qeverinë Shqiptare.