Skema të reja të ujësjellësve – konsultim i hapur me banorët përfitues
Investimi është në fazën përgatitore dhe ndërmerret në kuadër të Programit Ujësjellësit Ruralë III që zbatohet nga Fondit Shqiptar i Zhvillimit dhe financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bashkëpunimit Gjerman, KfW .
Gjatë kësaj jave Fondi Shqiptar i Zhvillimit organizoi një takim me përfaqësues të qeverisjes vendore, Ndërmarrjes së Ujësjellës- Kanalizimeve Durrës dhe banorëve. Këta të fundit u njohën me draft projektin, fazat e parashikuara për zbatimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e tyre në të ardhmen.
Skemat që do të ndërtohen kanë për qëllim jo vetëm furnizimin 24 orë me ujë higjiniekisht të pastër për fshatrat Xhafzotaj, Arapaj dhe Shkëmbi i Kavajës, por edhe lidhjen e të gjithë popullsisë me rrjetin e furnizimit me ujë.
Në total investimi për ndërtimin e këtyre dy skemave kap vlerën e rreth 2,5 milion Eurove. Punimet në terren planifikohet të fillojnë në shkurt të vitit 2019 dhe do të zgjasin deri në 12 muaj.
Pas përfundimit të zbatimit të projektit, skemat e ujësjellësve do të mirëmbahen dhe menaxhohen sipas procedurave të mirëpërcaktuara nga Ndermarrja e Ujësjellësit Durrës.