TIRANË – Kanë filluar punimet për rikonstruksionit të infrastrukturës në Qafën e Pazarit, Gjirokastër.

Pazari është një monument i kategorisë së parë dhe gjendet në qytetin e Gjirokastrës, që u shpall pjesë e trashëgimisë kulturore botërore nga UNESCO në korrik 2005. Pazari është krijuar si kompleks tregtar-artizanal  mes shekujve XVIII dhe XIX, me një arkitekturë unike.

Ndërhyrja po kryhet në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” që Fondi Shqiptar i Zhvillimit zbaton që prej vitit 2017 në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Turizmit, bashkitë Berat, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë, si dhe aktorë të tjerë interesi.

Sipërfaqja që do të trajtohet është 5,290 m² dhe ndërhyrja do të prekë të gjitha rrjetet infrastrukturore nëntokësore: rrjetin e ujësjellës- kanalizimeve dhe rrjetin elektrik që janë ndërtuar në të njëjtën kohë me të gjitha ndërtesat rezidenciale të zonës rreth 60 vjet më parë. I gjithë rrjeti rrjeti inxhinierik nëntokësor do të ndërtohet rishtas dhe do të përfshijë edhe sistemin e mbrojtjes nga zjarri, ndricimin publik, telefoninë, etj.

Rikonstruksioni i fundit që i është bërë rrugës me kalldrëm daton në vitet 1970 – 1974. Rruga ka degraduar për shkak të mungeseës së mirëmbajtjes dhe riparimit. Gjatë ndërhyrjes do të riparohet 85% e gurëve ekzistues, ndërsa pjesa tjetër do të zëvendësohet me gurë të rinj me të njëjtat karakteristika.

Po ashtu për 8 sheshe projekti parashikon mobilim urban me stola druri, panele informuese, çezma publike, vendparkim për biçikleta, etj., si dhe gjelbërim me lule dhe bimë dekorative.

 
Që prej ndërtimit të saj Qafa e Pazarit luan një rol të rëndësishëm socio-ekonomik për qendrën historike të qytetit të Gjirokastrës. Pozicioni i saj në qendër të qytetit, zgjerimet kompozicionale dhe aspekti arkitektonik-dekorativ i japin kompleksit një rëndësi të veçantë për llojet e pazareve në Shqipëri. Pazari ka një dizajn radial, i cili daton në shekullin XVII, duke krijuar një lidhje organike midis zonave të banuara. Nga rruga kryesore e Pazarit, hapen katër rrugë të reja, dhe secila prej tyre shërben si lidhje me zonat e banimit. Në qendër të pazarit ekziston edhe një xhami e cila është ndërtuar në vitin 1757 si pjesë e planit urban të Memi Pashës dhe është ngritur në statusin “Monument Kulturor” nga qeveria shqiptare në vitin 1973. Është një nga pesëmbëdhjetë xhamitë e ndërtuara fillimisht në qytet gjatë periudhës otomane, nga të cilat trembëdhjetë mbijetuan deri në periudhën komuniste.

PZHIUT është një program që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore dhe ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës urbane, dhe nxitjen e turizmit për zhvillimin e ekonomisë lokale në bashkitë Berat, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë.