TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Nëse ka një sektor ku impakti i investimeve në punë publike ka qenë i menjëhershëm është turizmi.

Sektori i turizmit në ndryshim nga sektorët e tjerë ndikon direkt në rritjen e punësimit dhe rritjen e të ardhurave brenda një kohe të shkurtër. Investimet publike në infrastrukturë veçanërisht në zonat turistike me potencial për investime të mëdha vendase apo të huaja, krijojnë avantazhe të mëdha përsa i përket rritjes së aktivitetit ekonomik dhe për rrjedhojë rritjes së punësimit.

Vlora është shembulli tipik ku investimet në infrastrukturë kanë sjellë ndikim të menjëhershëm në zhvillimin e turizmit dhe kthimin e tij në një burim të mirëfilltë punësimi dhe mirëqenieje. Deri para pak vitesh Vlora për shumicën e turistëve ishte thjesht një pikë pushimi për një kafe apo maksimumi një drekë rrugës për në plazhet e Himarës, Jalës, Dhërmiut, Qeparoit, Borshit e Lukovës.

Prej dy vitesh mund të thuhet pa frikë se Vlora është kthyer në kryeqytetin e turizmit.

Që në maj të këtij viti agjencitë turistike raportuan se 70% e hoteleve në qytetin bregdetar ishin prenotuar deri në fund të shtatorit nga turistë çekë, gjermanë, francezë, rusë, Europa veriore,etj.

Vetëm nga Polonia rreth 150,000 mijë turistë zgjodhën këtë vit Vlorën për të pushuar.

Investimet për krijimin e hapësirave urbane moderne si Lungomare, apo rikualifikimi urban i shesheve publike ekzistuese si Tri Rracat, investimet në akset rrugore hyrëse dhe dalëse, i dhanë tjetër frymëmarrje qytetit bregdetar. Krijimi i hapësirave urbane në plazhet e Himarës, Dhërmiut, Jalit apo rigjallërimi urban i fshatrave Vuno dhe Dhërmi janë investime që që krijojnë hapësira publike moderne dhe njëkohësisht pasurojnë ofertën turistike të bregut.

Veç kësaj, investimet sjellin rritje të vlerës së pronës private, ndërsa krijohen mundësi për të zhvilluar aktivitete ekonomike që më herët pengoheshin nga infrastruktura e dobët dhe mungesa e tregut.

Numri në rritje i turistëve, sipas shifrave, është shoqëruar me hapjen e sipërmarrjeve të reja. Krahasuar me një vit më janë rreth 40% më shumë biznese të hapura në sektorin e turizmit.

Të gjitha këto investime kthehen shumë shpejt në të ardhura në buxhetin e shtetit, pasi infrastruktura publike cilësore, oferta turistike që pasurohet me trashëgimi kulturore e historike e që shkon përtej detit dhe diellit, bën që jo vetëm të rritet numri i turistëve që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar, por edhe zgjasin kohën e qëndrimit në vend. Më shumë ditë qëndrimi janë më shumë para të shpenzuara, më shumë të ardhura në ekonominë lokale dhe kombëtare.

Falë investime që adresoi qeveria shqiptare në zhvillimin e infrastrukturës  me prioritet zonat turistike të vendit, projekte të rëndësishme rehabilitim-ndërtimi të akseve kryesore rrugore u realizuan dhe po punohet me intensitet nga veriu në jug të vend, brenda afateve dhe me standardet më të mira si radhë herë më parë, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që me të drejtë cilësohet lider në sfidat e zhvillimit për investimet e kryera deri tani.

Kjo verë në të gjitha plazhet e Shqipërisë dhe veçanërisht në pjesën e jugut tregoi dukshëm se përmirësimi i infrastrukturës ka rritur interesimin dhe praninë e turistëve nga vende të ndryshme. Veç kësaj, rritje ka pasur edhe në numrin e jahteve dhe mjeteve të tjera lundruese turistike në kalatat e qyteteve portuale si Vlora dhe Saranda.

Rreth 2.9 milionë shtetas të huaj hynë në Shqipëri nga janari deri në korrik 2018. Shifrat e dhëna nga INSTAT nuk llogarisin gushtin, që është edhe një muajt kur hyrja e turistëve në Shqipëri kulmon.

Për këtë vit pritet që të ardhurat nga turizmi të kapin 2 mld euro, ndërkohë që vitin e kaluar të ardhurat nga turizmi sipas INSTAT ishin 1.7 miliardë euro.

ATSH