TIRANË – Ndërsa sezoni turistik po shkon drejt fundit, intensifikohet puna për rikonstruksionin e bulevardit “Ismail Qemali” në Vlorë.

Është drejt përfundimit pjesa e parë e bulevardit nga rrethrrotullimi pranë Lungomares deri në kryqëzimin me rrugën “Petrit Bisha”. Ndërkaq, javën e ardhshme do të fillojë puna në segmentin nga kryqëzimi i Cipajve deri te shkolla industriale. Segmenti ku do të punohet është rreth 300 metra. Gjatë punimeve kryqëzimi i Cipajve do të qëndrojë i hapur për të penguar sa më pak qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve.

Ashtu si në segmentin e parë të bulevardit që tashmë po merr formën përfundimtare, edhe në këtë segment do të kryhen ndërhyrje në të gjithë infrastrukturën ekzistuese nëntokësore, projekt i ri i shtresave rrugore, sistemi i ndriçimitm mobilimi urban, gjelbërimi, etj.

 

 

Zbatimi në terren i projektit për rikualifikimin urban të bulevardit “Ismail Qemali” në Vlorë filloi në pranverë të këtij viti dhe planifikohet që të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Ky projekt financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Europës dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV”.

Bulevardi dhe investimet e tjera në infrastrukturë si Lungomare, rruga “Dhimitër Konomi”, unaza e qytetit, rruga Transballkanike, rruga turisitike e Kaninës, etj., kanë transformuar Vlorën në kryeqytetin e turizmit dhe aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare.