FSHZH hap në Valbonë Zyrën e Informacionit Turistik dhe Qendrën Profesionale të Zhvillimit të Turizmit
Turistët që zgjedhin Luginën e Valbonës dhe Alpet Shqiptare për të kaluar pushimet e tyre, do të kenë informacionin e domosdoshëm për këtë destinacion, aktivitetet, shërbimet dhe pikat me interes për t’u vizituar.
Duke nisur nga data 1 Gusht, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur Zyrën e Informacionit Turistik në Valbonë. Kjo zyrë informacioni është mundësuar në kuadër të projektit “Punët në Komunitet IV”, financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës për Zhvillim.
Zyra do të operojë gjatë gjithë sezonit turistik, duke iu shërbyer turistëve të huaj dhe atyre vendas për dhënien e një informacioni profesional turistik, bizneseve lokale që operojnë në zonë për promovimin e tyre, agjencive turistike për marketimin e produkteve, si edhe zonës në përgjithesi për promovimin e vlerave turistike, prodhimeve dhe kulinarise lokale.
Zyra është pjesë e një ndërhyrjeje integrale që pritet të fillojë në mbyllje të sezonit veror dhe që do ngrejë në zonë të parën Qendër Profesionale të Zhvillimit të Turizmit, e cila do të orientojë zhvillimin e destinacionit turistik të Alpeve Shqiptare.
Alpet Shqiptare po kthehen me shpejtësi në një destinacion të preferuar turistik. Më shumë se 600,000 turistë llogaritet ta kenë vizituar këtë destinacion gjatë vitit të kaluar.
Punimet për ndërtimin e Qendrës së Zhvillimit të Turizmit në Valbonë parashikohet të fillojnë në muajin Tetor 2018 dhe struktura të jetë gati dhe operacionale në fillim të sezonit të ardhshëm turistik.