Nis puna për anketimin e turistëve që vizitojnë jugun e vendit
Anketimi pjesë e studimit të Vlerësimit të Impaktit të Projektit për Zhvillimin e Integruar dhe Turizmin
TIRANË – Këtë javë ka nisur në terren puna për intervistimin e turistëve që vizitojnë zonat turistike në jug të vendit. Ky anketim është pjesë e studimit të vlerësimit të impaktit dhe zhvillohet në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin që financohet nga Banka Botërore dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Studimi parashikon kryerjen e rreth 1,300 intervistave me turistë çdo verë, në qendrat urbane të Sarandës, Gjirokastrës, Beratit, Përmetit dhe përgjatë korridorit turistik që kalon në këtë rajon. Ai ka nisur që në vitin 2017 dhe do të zgjasë 5 vjet deri në vitin 2022. Qëllimi i këtij anketimi është marrja e opinioneve të turistëve lidhur me një sërë çështjesh të lidhura me nivelin dhe cilësinë e shërbimeve që ofrohen sot në tregun turistik shqiptar, destinacionet turistike, objektet e trashegimise historike dhe kulturore, cilësinë e informacionit të lidhur me turizmin, gastronominë, aksesin drejt zonave turistike, infrastrukturën dhe kushtet e transportit, trendin dhe modelin e shpenzimeve të turisteve gjatë qëndrimit të tyre, kohëzgjatjen e qëndrimit, etj.
Anketimi i turistëve do të shoqërohet dhe me anketimin e familjeve dhe bizneseve në zonen e ndërhyrjes.
Studimi do të japë një panoramë të qartë mbi efektet që po sjellin investimet në zhvillimin socio-ekonomik në përgjithësi dhe atij të turizmit në veçanti. Gjetjet e tij do të orientojnë dhe informojnë politikëbërësit, vendim-marrësit dhe donatorët mbi efektivitetin dhe përfitimet e këtij projekti, por njëkohësisht do t’i orientojnë ata drejt zgjidhjeve dhe ndërhyrjeve të qëndrueshme në të ardhmen.
Aktualisht në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin janë një sërë ndërhyrjesh të cilat kanë filluar zbatimin në terren ose pritet të fillojne së shpejti:
- Rehabilitimi i shkallareve në qendrën e qytetit të Sarandës;
- Rehabilitimi i rrugës këmbësore për në Kalanë e Beratit dhe pikës panoramike jugore të Kalasë së Beratit “Tabja”;
- Rehabilitimi i kalldrëmeve të Qafës së Pazarit Gjirokastër”;
- Rehabilitimi i shtegut të Ali Pashës, Gjirokastër dhe stabilizimi i skarpateve pranë Kalasë Gjirokastër ”;
- Ndriçimi i qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës;
- Përmirësimi i integruar urban i infrastruktures urbane në qytetin e Gjirokastrës;
- Restaurimi dhe përmirësimi i sistemit të muzeve në Gjirokastër;
- Rigjenerimi urban i shëtitores ekzistuese “Naim Frasheri” në Sarandë;
- Përmirësimi i integruar urban i infrastrukturës urbane për qytetin e Sarandës;
- Përmirësimi i integruar urban i infrastrukturës urbane për qytetin e Beratit;
- Ndriçimi i rrugëve Përmet;
Përmirësimi i integruar urban i infrastrukturës urbane për qytetin e Përmetit, etj;