Rruga Pogradec – Tushemisht – FSHZH organizon konsultim me banorët që përfitojnë nga projekti
TIRANË – Banorët e Pogradecit, veçanërisht ata që banojnë pranë rrugës Pogradec-Tushemisht treguan interes dhe pjesëmarrje të lartë në konsultim publik për vlerësimet mjedisore dhe sociale për rikonstruksionin e LOT i të rrugës.
Rruga Pogradec – Tushemisht do të rikonstruktohet në kuadër të programit “Rrugët lidhëse rajonale” që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore dhe që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Takimi publik u mbajt më 31 korrik, në mjediset e Bashkisë Pogradec dhe kishte për qëllim të informojë banorët e zonës që preken nga projekti lidhur me efektet në pronën private, procedurat e kompensimit dhe ndikimin në mjedis.
Çfarë është plani i Menaxhimit Mjedisor dhe Social dhe plani lokal i veprimit të risistemimit?
Planet përbëjnë në vetvete dokumente vlerësimi me fokus te ndikimet që mund të ketë projekti mbi njerëzit dhe mjedisin në zonën që preket nga investimi.
Politikat e qeverisë shqiptare dhe të donatorëve në zbatimin e projekteve me interes publik i kushtojnë një rëndësi të madhe kujdesit për mjedisin dhe përfshirjes së komunitetit që ndikohet nga këto projekte. FSHZH nëpërmjet instrumenteve si diskutimi publik bën të mundur që vlerësimet të jenë sa më realiste, transparente dhe të konsultuara. Në këtë mënyrë synohet të reduktohet ndikimi në mjedis dhe efektet që zbatimi i këtyre projekteve sjell, me qëllim mbrojtjen e mirëqenies së komuniteteve.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit prej kohësh zhvillon konsultime publike që në fazat e hershme të projekteve që zbaton si një instrument të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies dhe që njëkohësisht nxit pjesëmarrjen e komunitetit në projektet e zhvillimit.