Turizëm me 5 shqisa – Nis projekti “ADRION 5 SENSES” në partneritet me 8 shtete të BE-së dhe rajonit
TIRANË – Nis projekti ADRION 5 SENSES, një projekt i ri i Fondit Shqiptar të Zhvillimit në fushën e turizmit. Projekti i bashkëfinancuar nga programi INTERREG ADRION dhe Qeveria Shqiptare, i kapërcen kufijtë kombëtarë dhe po realizohet në partneritet me Italinë, Kroacinë, Slloveninë, Greqinë, Bosnjë Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi.
Ky projekt do të krijojë dhe promovojë një model të ri turizmi të qëndrueshëm, me eksperienca turistike gjithëpërfshirëse. Eksperiencat turistike nën emrin tregtar ADRION 5 SENSES do t’i lejojnë turistët që t’i shijojnë ato nëpërmjet të pesë shqisave, duke shlodhur sytë në pika panoramike e pasuri natyrore, kënaqur nuhatjen me parfumet e aromat e larmishme, prekur nga afër pasuritë kulturore, shijuar gatimet tradicionale, etj.
Ndër produktet e rëndësishme që do të nxjerrë ky projekt dhe që do t’i vijnë në ndihmë të gjithë aktorëve të interesuar për një model të suksesshëm turizmi, vlejnë të përmenden Strategjia e Përbashkët dhe Plani i Veprimit për menaxhimin e destinacioneve ADRION, si dhe Rrjeti Ndërkombëtar i Bashkëpunimit në fushën e turizmit 5-shqisor. Gjithashtu, projekti do të mundësojë një Platformë 9-gjuhëshe, Hartën Elektronike të Ndjeshmërive dhe ngritjen e Qendrave të Ekspozimit në secilin prej shteteve partnere, që do të ofrojnë informacion të hollësishëm, që nga mënyrat e aksesimit të destinacioneve ADRION, aktivitetet zbavitëse në to, e deri tek produktet tipike të ҫdo destinacioni.
Falë këtij projekti, ҫdokush do të ketë mundësinë të testojë virtualisht eksperiencat turistike dhe të zgjedhë të përjetojë me të 5 shqisat të preferuarën e tij!