Rikualifikimi qendrës historike, projekti i radhës në mozaikun e investimeve transformuese të Vlorës
TIRANË – Projektet madhore për Vlorën që pritet të fillojnë së shpejti u prezantuan në një takim publik në datë 23 qershor 2018, në Pallatin e Sportit të qytetit.
Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, z. Benet Beci në prezantimin e projektit Rikualifikimi Qendrës Historike të Vlorës tha se pas investimeve të njëpasnjëshme të përfunduara në Vlorë si pjesë e një plani të mirëmenduar dhe me një koncept të qartë të zhvillimit rajonal, tani i ka ardhur radha rehabilitimit të qendrës historike.
“Asnjë qyteti europian nuk i mungon qendra historike dhe tani është radha e këtij investimi shumë të rëndësishëm për qytetin e Vlorës që të kapë ritmin e shpejtë të zhvillimit”, tha Drejtori Ekzekutiv i FShZh, Beci.
Fjala e plotë
Vlora mbetet dëshmia më e qartë e një transformimi të planfikuar me një koncept të qartë të zhvillimit rajonal.
Ndërhyrjet në Vlorë vitet e fundit janë ndërmarrë në bazë të një plani të mirëmenduar.
Kjo ka bërë që secili nga ne – qytetar i Vlorës ose turist – të prekë fuqinë e transformimit të ndërhyrjeve mbi një koncept të qartë që prej fillimit.
Konkretisht, Lungomare u shoqërua me ndërhyrjet në unazën dhe rrugën “Dhimitër Konomi” për të sistemuar trafikun në qytet dhe për t’i dhënë zonës pranë bregdetit një hapësirë moderne.
Hyrja e Vlorës shënoi transformimin e hyrjes së qytetit që deri dje i shkonte për shtat një zone rurale, në hyrjen e qyteti turistik bregdetar europian.
Pylli i Sodës ku mungonte krejtësisht infrastruktura dhe ishte zhytur në errësirë, me ndërtimin e rrugës është transformuar në një park modern në funksion të qytetarëve e turistëve.
Projekt – ideja për rikonstruksionin e bulevardit “Ismail Qemali” është ndërtuar në koordinim të plotë me Lungomaren si për nga qasja edhe për nga projektimi.
Sapo kemi përfunduar edhe rrugën turistike të Kaninës që do t’i japë impulse të reja zhvillimit të agro-turizmit dhe do të krijojë mundësi punësimi e mirëqenieje për 2,000 banorët e Kaninës.
Po ecim me ritme mjaft të mira në rrugën e Lumit të Vlorës, ku brenda vjeshtës do të përfundojmë asfaltimin e segmentit të parë prej 23 kilometrash nga fshati Sherishtë deri në Gjorm. Ndërkohë po përfundojmë procedurat dhe shumë shpejt fillojmë punën për dy segmentet e tjera nga Ura e Gjormit deri në Kuç.
Të gjithë projektet që janë realizuar dhe po realizohen në Vlorë kanë një koncept të përbashkët dhe kjo është një mënyrë e re si e shohim sot zhvillimin urban – të integruar, të planifikuar dhe të realizuar sipas parametrave më të mirë.
Pjesë e këtij mozaiku të paramenduar është edhe rehabilitimi i qendrës historike të Vlorës që po prezantojmë sot. Ne e dimë që asnjë qyteti turistik europian nuk i mungon zona historike. Dhe pas ndërhyrjeve në zonën industriale dhe zonave turistike të Vlorës, erdhi radha e këtij investimi.
Rikualifikimin Urban i Qendrës Historike të Vlorës ishte paramenduar me kohë për të sistemuar dhe rigjallëruar një zonë që përfaqëson zemrën e qytetit.
Gjendja në të cilën ishte nuk ka nevojë për komente, pasi besoj të gjithë e dimë që ishte lënë tërësisht pas dore. Ndërtesat e vjetra thuajse të gjitha degraduan dhe në disa raste u shkatërruan si rezultat i zhvillimit kaotik të pas viteve ’90-të.
Projekt – ideja për rikualifikimin e qendrës historike është finalizuar falë financimit të qeverisë shqiptare. Ajo është rezultat i një studimi të thelluar dhe konsultimeve intensive mes përfaqësuesve të qeverisjes qendrore dhe lokale si: Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve, Bashkia Vlorë dhe partnerëve financues.
Zona ende ruan gjurmë nga periudha e fundit të mesjetës, kur filloi të ndërtohej. Ka rrugë të ngushta, me ndërtime karakteristike 2-3 katëshe. Një pjesë e tyre kanë rëndësi historike pasi kanë qenë banesa e zyra patriotësh e luftëtarësh të shquar të çështjes kombëtare. Edhe pse të dëmtuara mund të rehabilitohen dhe t’i rikthehen qytetit.
Për efekt të studimit dhe projektimit qendra historike është ndarë në dy nënzona: nënzona A dhe nënzona B.
Gama e ndërhyrjeve gjatë fazës së parë është shumë e gjerë. Projekti i zbatimit parashikon ndërtimin e rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe rrjetit të ujësjellësit, si dhe rikonstruksionin e plotë të rrugëve e rrugicave.
Do të trajtohet sipërfaqja e 13 mijë metra katrorë sheshe dhe hapësira publike që do të shtrohen me pllaka guri dhe do të gjelbërohen. Rikonstruksioni i sheshit të Sahatit, sheshit para Bashkisë dhe shesheve të tjera do t’i japin një frymëmarrje dhe fizionomi krejt të re të gjithë zonës.
Rreth 2,400 metra katrorë rrugë e rrugica do t’i nënshtrohen rikonstruksionit tërësor. Këtu përfshihen edhe rruga e Hebrenjve dhe rruga “Justin Godard”.
Mbi 50 objekte ekzistuese do t’i nënshtrohen restaurimit. Kujdes i veçantë do të tregohet për ruajtjen e arkitekturës dhe materialeve autentike të objekteve historike si Shtëpia e Qeverisë, ish – sinagoga, shtëpia e Marigosë, Xhamia e Tabakëve, etj.
Faza e parë e zbatimit përfshin zonën B që kufizohet nga rruga “Perlat Rexhepi” në veri, rruga “Justin Godard” në jug, rruga “Elham Doci” në lindje dhe në perëndim nga bulevardi “Demokracia”.
Këto ndërhyrje që Fondi Shqiptari i Zhvillimit do të fillojë gjatë javëve në vijim së bashku me ndërhyrjet që tashmë kanë filluar për restaurimin e fasadave dhe çative nga Fondacioni Shqiptaro – Amerikan kanë për qëllim të ruajnë ato gjurmë që kanë mbetur nga identiteti dhe trashëgimia e qytetit dhe të nxjerrin në pah vlerat qytetare si: patriotizmi dhe bashkëjetesa fetare.
Rijetësimi i qendës historike të Vlorës mbi gjurmët dhe muret e historisë krijon premisa për zhvillime të reja të sipërmarrjes private të orientuar drejt turizmit. Nga ana tjetër, Vlorës i shtohet një hapësirë të re që pritet t’i nxisë turistët ta vizitojnë jo vetëm për detin dhe ushqimin e mrekullueshëm, por edhe për kulturën dhe historinë e saj.
Ju faleminderit!