Investimet në infrastrukturë, FSHZH mat impaktin socio – ekonomik
TIRANA – Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zonat rurale, shoqërohet me rritje dhe diversifikim të prodhimit bujqësor, që në periudhën afatgjatë rrit të ardhurat dhe përmirëson cilësinë e jetës. Fondi Shqiptar i Zhvillimit me mbështjetjen e Bankës Botërore ka kryer një studim mbi impaktin e rrugëve rurale në Shqipëri. Është vërejtur se në zonat rurale ku ka pasur investime në infrastrukturë rrugore, prodhimi bujqësor është rritur dhe diversifikuar në masën 30 %, kostot e prodhimit janë ulur me rreth 15% dhe punësimi është rritur në masën rreth 13 %.
Studimi u shtri në të gjithë vendin dhe mbulon një periudhë 5-vjeçare i (2012-2016). Qëllimi ishte matja e impaktit që programi “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale” (PRDL) kishte në periudhën afatmesme në zonat përfituese. Analiza bazohet në studimin e ekonomive familjare të administruara në një kampion prej rreth 2,000 familjeve që jetojnë në 144 fshatra në 12 qarqe dhe konsultim me 10 fokus grupe në të dy fazat e studimit 2012 dhe 2016.
Në Shqipëri janë rreth 10,000 km rrugë rurale që administrohen nga Njësitë e Qeverisjes Vendore të nivelit të parë e të dytë.
Disa nga gjetjet më interesante të studimit kanë të bëjnë me përmirësimin e ndjeshëm të aksesit nga infrastrukturës arsimore dhe shëndetësore, rritjen e vlerës së tokës në zonat që u prekën nga programi dhe rritja e të ardhurave familjare për shkak të shkurtimit të distancës mes fermerëve dhe pikave të grumbullimit të produkteve bujqësore.
“Koha e udhëtimit në spital u reduktua me 27% në komunitetet e përfituese. Banorët e komuniteteve përfituese kanë 12% përqind më shumë mundësi të vizitojnë qendrat shëndetësore në rast të nevojave të vogla mjekësore në krahasim me komunitetet jo përfituese. Për më tepër, koha e udhëtimit dhe shpenzimet e udhëtimit në shkollat e mesme u zvogëluan me 31% dhe 54% respektivisht, si rezultat i përmirësimit të kushteve të rrugës,” thuhet në studim.
Po ashtu, vërehet se investimet në infrastrukturë kanë pasur ndikim të rëndësishëm dhe pozitiv në vlerat e tokës truall dhe bujqësore. Vlera mesatare e banesave është rritur me 48%, ndërsa çmimi i tokës bujqësore është 1.2 herë më i lartë në komunitetet përfituese në krahasim me komunitetet jo përfituese.
Fermerët në zonat përfituese arrijnë më shpejt tregjet e produkteve bujqësore, ndërkohë që kostot e inputeve bujqësore dhe prodhimit bujqësor janë ulur. Prodhimi dhe diversifikimi i kulturave bujqësore është gjithashtu më i lartë 34,2% më i lartë në komunitetet e përfituese krahasuar me komunitetet jo përfituese.
Analiza e të dhënave statistikore dhe intervistave të zhvilluara në terren, vë në dukje se investimet në kuadër të PRDL kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e perspektivave të punësimit të kryefamiljarit. Shkalla e papunësisë e kryefamiljarëve është 12.6 përqind më e ulët dhe vetëpunësimi është rritur me 12.9 përqind në komunitetet përfituese.
Në shkallë më të gjerë, vërehet se investimet kanë pasur ndikim pozitiv edhe në ekonominë lokale. Tregues për këtë është rritja e shpenzimeve të konsumit të familjeve. Rezulton se pas investimit, në komunitetet përfituese shpenzimet totale familjare (ushqimi dhe shpenzimet jo ushqimore) janë 25% më të larta. Një fakt interesant i zbuluar nga analiza është se ndërsa, zëri i shpenzimeve ushqimore në komunitetet përfituese nuk ka pasur ndryshime, shpenzimet jo ushqimore (veshje, pajisje, aktivitete) janë rritur me 58%. Ky fakt flet për një rritje të cilësisë së jetesës në komunitetet përfituese.
PRDL u konceptua në kushtet në një situate kur investimet në rrugët dytësore dhe lokale ishin të copëzuara dhe mbi 70 % e rrugëve ishin në gjendje të keqe apo shumë të keqe.
Shtyllat kryesore mbi të cilat u ndërtua programi ishin: ngritja e një sistemi funksional të inventarizimit të rrjetit rrugor dhe prioritizimin e investimeve; rehabilitimi në shkallë të gjerë të rrjetit rrugor dytësor dhe lokal, ku u përfshinë 144 segmente rrugore dhe ura në një total prej 1,200 km dhe stabilizimi i proceseve të funksionimit dhe mirëmbajtjes së këtij rrjeti rrugor.
Krahas financimit të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore, programi arriti të sigurojë një financim prej 368 milionë USD të institucioneve të tjera financiare si OFID, CEB, BEI, BERZH, BE (IPA 2008 – 2011, WBIF), IDB, KfW. Mbi 1,200 km rrugë dytësore dhe lokale u rehabilituan, duke e shndërruar Programin e Rrugëve Dytësore në një nga programet me impaktin më të lartë në vend.