Programi “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”
Vlerësimi i impaktit socio – ekonomik

Në Shqipëri janë rreth 10,000 km rrugë rurale që administrohen nga Njësitë e Qeverisjes Vendore të nivelit të parë e të dytë.

Një studim i Bankës Botërore i vitit 2006 konstatonte se mbi 70 % e rrugëve ishin në gjendje të keqe apo shumë të keqe. Ky klasifikim shoqërohej me shënimin se një pjesë e mirë e rrugëve ishin në një gjendje të tillë sa ishin klasifikuar në gjendje “shumë të keqe”, por që vështirë se mund të klasifikoheshin si rrugë sepse ishin të pakalueshme në një pjesë të madhe të vitit.

Deri në vitin 2008 investimet për rrugët dytësore dhe lokale thuajse mungonin, ishin të copëzuara, pa koordinim mes investitorëve, zbatuesve dhe përfituesve dhe mbi të gjitha me standarde tërësisht të tejkaluara në raport me kërkesën e rritur për transport.

Duke qenë se pothuajse gjysma e popullsisë së vendit jeton në zonat rurale është e qartë pasoja që rrjeti rrugor dytësor kishte në ritmet e zhvillimit ekonomik, treguesit e shërbimeve sociale si shëndetësia e arsimi apo ndjesinë shumë të prekshme psikologjike të izolimit e braktisjes.

Në kushtet e një situate komplekse që kërkonte koordinimin e strategjive kombëtare dhe strategjive të donatorëve për të harmonizuar investimet në shkallë kombëtare, Fondi Shqiptar i Zhvillimit konceptoi Programin “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”.

Ky angazhim i FSHZH erdhi në vijim të angazhimeve të hershme të institucionit në zbatimin e disa projekteve me rëndësi në zhvillimin social – ekonomik të vendit në nivel rajonal dhe lokal.

Programi filloi jetën e tij në vitin 2008 duke pasur si objektiv tri shtylla kryesore:

  • Ngritjen e një sistemi funksional të inventarizimit të rrjetit rrugor dhe prioritizimin e investimeve;
  • Rehabilitimin në shkallë të gjerë të rrjetit rrugor dytësor dhe lokal, ku u përfshinë 144 segmente rrugore dhe ura në një total prej 1,200 km;
  • Stabilizimin e proceseve të funksionimit dhe mirëmbajtjes së këtij rrjeti rrugor;

 

Më poshtë mund të shkarkoni dokumentat: