Shqipëria dhe Kosova nisin bashkëpunimin për rigjallërimin e shtigjeve malore dhe lidhjen me korridorin “Via Dinarica”
TIRANË – Viti 2018 shënoi fillimin e një projekti të ri bashkëpunimi ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës, i cili fokusohet në zgjatimin e shtegut të njohur si “Via Dinarica” një prej atraksioneve turistike më interesante në Ballkanin Perëndimor, që shtrihet nga Sllovenia deri në Maqedoni.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe organizata simotër në Kosovë CDF (Fondi për Zhvillimin e Komuniteteve) kanë filluar punën për zbatimin e këtij projekti që financohet nga fonde IPA Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Kosovë – Shqipëri.
Takimi i parë mes përfaqësuesve të FSHZH-së dhe partnerëve të CDF në Kosovë u zhvillua më 12 prill, 2018. Gjatë takimit u diskutua për drejtimet kryesore të zbatimit të projektit, rolet dhe funksionet dhe plani i aktiviteteve.
“Via Dinarica” vlerësohet në Planin Kombëtar Sektorial të Turizmit të Alpeve Shqiptare (PKST) si një ndër itineraret turistike më të rëndësishme që duhet zhvilluar. “Via Dinarica” është një shteg 2,000 km i gjatë dhe përshkon Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë – Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.
Shqipëria dhe Kosova do të punojnë së bashku për një sërë ndërhyrjesh në përmirësimin e infrastrukturës turistike, rigjallërimin e shtigjeve malore në të dy anët e kufirit, rritjen e aksesit për të apasionuarit e ecjes në këmbë dhe me biçikleta, etj.
Qëllimi është përfshirja e një numri shtigjesh në Alpeve Shqiptare në itinerarin e Via Dinarica, tashmë pjesë e platformës globale për turizmin malor i cilësuar nga revista National Geographic Traveler në vitin 2017 si një ndër vendet më të mira për t’u vizituar.
“Via “Dinarica” është një korridor kulturor që në mënyrë natyrore përmes shtigjeve të reja apo ekzistuese lidh shtatë vende të Ballkanit Perëndimor dhe komunitetet, duke shpërfaqur një larmi mbresëlënëse pejsazesh e traditash. Në thelb jo vetëm nxitet potenciali i të gjithë rajonit për turizëm, por njëkohësisht synohet edhe zhvillimi i zonave rurale të thella përgjatë shtegut dhe rritja e mirëqenies së popullsive lokale nëpërmjet nxitjes së shërbimeve turistike.
Gjatë vitit 2017, FSHZH është përzgjedhur si partner në 6 projekte të financuara nga Programet CBC/Bashkëpunimit Ndërkufitar. Këto projekte kanë fokus zhvillimin turistik dhe novacionin në mjedis. Projektet në total kanë një vlerë prej 1 Milion Euro dhe kanë filluar zbatimin në fillim të vitit 2018.