Tiranë – Ballkoni panoramik është atraksioni më i ri turistik që i shtohet qytetit të Vlorës.

I pozicionuar pranë zonës së Ujit të Ftohtë, Ballkoni i Vlorës është orientuar nga perëndimi dhe prej aty çdo vizitor ka mundësinë të ketë një pamje të plotë të Lungomares dhe të gjithë gjirit të Vlorës.

 

Me përfundimin e projektit për ndërtimin e shëtitores përgjatë bregdetit, rikonstruksionit të Transballkanikes, unazës së qytetit e rrugës “Dhimitër Konomi” dhe shesheve publike, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është duke zbatuar projektin e rikonstruksionit të bulevardit “Ismail Qemali” dhe rikonstruksionin e rrugës së Kaninës. Ndërkohë është drejt përfundimit rruga e Pyllit të Sodës, që transformon këtë zonë dikur të lënë pas dore në një hapësirë të re turistike.

Ballkoni panoramik në Vlorë është pika e tretë panoramike që ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimi, pas atyre të ndërtuara në rrugën Shkodër – Vermosh dhe Bogë – Qafë Thorë.

Kjo qasje investimesh do të vazhdojë edhe në zona të tjera të vendit me qëllim rritjen e eksperiencës së turistit gjatë udhëtimit dhe para mbërritjes së tij në destinacionin përfundimtar duke i prezantuar pasuritë e shumta natyrore, kulturore dhe panoramike që ofron Shqipëria në gjithë territorin e saj. Tashmë, në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmit_ PZHIUT, financuar nga Banka Botërore dhe qeveria shqipëtare, ndërtimi i pikave panoramike është parashikuar të shtrihet më tej në zonën e jugut.

Diversifikimi i produktit turistik, rritja e eksperiencës së turistit, vlerësimi i aseteve ekzistuese apo nxjerrja në pah e atyre të harruara do të jënë në fokus të kësaj pakete investimi. Janë të paktën 10 pika të tjera panoramike që parashikohen ti shtohen këtij korridori turistik që lidh konkretisht bashkitë Berat, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë.

Një konsulencë e specializuar është angazhuar për identifikimin dhe zhvillimin më tëj të këtij produkti në investime konkrete. Komunikimi dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me të gjitha aktorët lokalë dhe veçanërisht përfituesit direkt të këtyre investime është një nga hallkat kyçe që do të shoqërojë procesin, për të siguruar një investim të qëndrueshëm, menaxhim dhe mirëmbajtje në kohë të këtij investimi.

Realizimi i investimeve të integruara dhe që synojnë ndërveprimin organik turistik, pa krijuar fragmentizime është një nga qëllimet kryesore të projektit në fjalë.