Dhuro gjak, ndihmo jetën
Tirana- 400-450 ml gjak nuk janë asgjë për një njeri të shëndetshëm, por ato janë të çmuara për dikë që ka nevojë rregullisht për gjak, siç është rasti i fëmijëve talasemikë. Në Shqipëri numërohen rreth 600 pacientë me talasemi. Jeta e tyre është e varur nga transfuzioni i gjakut të paktën dy herë në muaj.
Në total Shqipëria ka 10.7 dhurime për 1000 banorë, ndërsa nevojat janë dy herë më të mëdha. Nevojiten 20 dhurime për 1 mijë banorë. Gjatë tetorit stafi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit iu bashkua Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në përpjekjet për të rritur numrin e dhurimeve.
Pas ekzaminimeve të nevojshme, rreth 23 punonjës rezultuan në përputhje me parametrat e kërkuar për dhurimin e gjakut. Procesi i dhurimit zgjat 10 minuta për një individ dhe nuk ka pasoja negative në shëndet. Studimet tregojnë se dhurimi i gjakut 2 herë në vit ndihmon shëndetin e zemrës, rrit prodhimin e qelizave të reja, ul rrezikun e kancerit, etj.