Tiranë- Ngjarja biblike që frymëzoi Da Vincin për një nga krijimet e tij më të famshme, ka qenë subjekt i piktorëve dalmacianë 200 vite më herët në kishën 800-vjeçare të Shna Prendës (Shën Premtes), në njësinë administrative Balldren.

Kisha ka afreske që datojnë nga shekulli i 13-të. Darka e fundit është më i veçanti pasi sipas studiuesve piktorët kanë shprehur perceptimin e tyre mbi këtë ngjarje të çliruar nga dogmat fetare.

Ky monument kulture do të jetë i aksesueshëm lehtësisht për turistët, pasi rikonstruksioni i rrugës Balldre – Bend po ecën me ritme të shpejta. Investimi i financuar nga Qeveria Shqiptare për rikonstruksionin e plotë të këtij aksi do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te 10 mijë banorë të njësive administrative Torovicë, Balldre, Malecajve, Shkëmbit të Kuq e Kolajakave.

Përmes zhvillimit të infrastrukturës synohet të nxitet zhvillimi i agro-turizmit dhe turizmit kulturor e natyror. Kisha e Shën Premtes është është vetëm një nga atraksionet e shumta që zona ofron.