Vështrim i përgjithshëm
Gjatë njëzet viteve të fundit Shqipëria ka bërë përparime të dukshme duke kaluar nga një sistem i centralizuar dhe i prapambetur drejt një ekonomie tregu. Sipas një raporti të përbashkët nga INSTAT, UNDP dhe Banka Botërore mbi trendin e varfërisë në Shqipëri për periudhën 2002-2005-2008, vërehet një rritje prej 7,1% në vit e PBB-së reale, e cila është shoqëruar edhe me një ulje të ndjeshme të varfërisë në zonat rurale. Megjithatë, në zonën e rajonit Malor niveli i varfërisë nuk ka shfaqur ndryshime të rëndësishme. Të varfërit janë akoma të përqëndruar në zonat rurale të rajonit malor. Shqipëria ka pasur një rritje të qëndrueshme ekonomike si dhe ka kryer reforma ekonomike, që kanë rezultuar në qëndrueshmërinë makroekonomike, qeverisjen e përmirësuar, zhvillimin e investimeve në sektorin privat, përftimin e shërbimeve sociale publike.
SFIDA
Shqipëria ka trashëguar nga regjimi komunist një infrastrukturë të dobët e cila ka ndikuar në kushtet e vështira të transportit të njerëzve dhe të mallrave. Sipas një studimi të BB mbi Vlerësimin e Varfërisë në vitin 2003 rezulton se shqiptarët pas punësimit dhe të ardhurave konsiderojnë problemet e infrastrukturës si shkakun kryesor të vështirësive dhe një faktor domethënës për standardin e tyre të ulët të jetesës pasi rreth 57% e popullsisë jeton në zonat rurale ku gjendja e transportit rrugor lë shumë për të dëshiruar. Gjendja e varfër e infrastrukturës rrugore përfaqëson pengesën më të madhe për transportin e njerëzve dhe të mallrave, për investimet e huaja, për zhvillimin e turizmit, për rritjen ekonomike, aksesin ndaj shërbimeve sociale, mundësive për punësim, në mënyrë të veçantë për banorët e zonave rurale. Shqipëria zotëron një inventar rrugësh rurale prej 12 mijë km, nga të cilat 4,980 km janë rrugë rurale me karakter komunal dhe 4,471 km janë rrugë me karakter rajonal. Kontributi i këtij rrjeti rrugësh në zhvillimin e bujqësisë dhe rëndësia që ka bujqësia për PBB-n për zhvillimin ekonomik të vendit dhe uljen e varfërisë, nënvizon rëndësinë që ka përmirësimi sa më i shpejtë i rrjetit të rrugëve sekondare dhe lokale.
Ndërhyrja
Nisur nga nevoja e përmirësimit sa më të shpejtë e efikas të infrastrukturës rrugore, qeveria shqiptare vitet e fundit ka hartuar së pari “Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013” si dhe “Planin e Transportit Kombëtar”. Po ashtu në vitin 2007 qeveria shqiptare inicioi një projekt për Përmirësimin e Rrugëve Dytësore dhe Lokale. Ky Projekt u mbështet nga Banka Botërore e cila hartoi edhe Dokumentin e Vlerësimit të Projektit. Zbatimi i këtij Projekti të rëndësishëm iu besua Fondit Shqiptar të Zhvillimit si një agjenci me përvojë në implementimin e projekteve të infrastrukturës. Projekti “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore & Lokale”, bashkë-financuar nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë në vlerën 368 milion USD, synon të rrisë përpjekjet konkrete për përmirësimin e infrastrukturës në vend si edhe për rritjen e aksesit ndaj shërbimeve bazë dhe tregjeve, veëanërisht në zonat rurale nëpërmjet rehabilitimit të rrjetit rrugor dytësor dhe lokal. Projekti u bë efektiv në Shtator 2008 dhe përfundoi në vitin 2017.
Rezultate
Punimet kanë përfunduar në gjitha segmentet rrugore dhe dhjetori i vitit 2016 mund të konsiderohet si muaji që përmbylli me sukses investimet në terren për një nga programet më ambicioze të zbatuara në këto 25 vitet e fundit në Shqipëri. Që nga fillimi i zbatimit të PRRDL-së deri më 31 Dhjetor 2016, FSHZH ka financuar rikonstruksionin e 144 segmenteve rrugore dytësore & lokale dhe urave, me një gjatësi totale prej rreth 1200 km.
- Nga një total prej 9800 km rrugë dytësore dhe lokale, ka përfunduar faza e parë e inventarizimit të plotë me të dhëna të detajuara për rreth 4247 km, të identifikuara si rrugë kryesore të rrjetit rrugor rural. Ndërkohë është në proces zbatimi faza e dytë e inventarizimit.
- Janë mbledhur të dhëna të hollësishme për të gjithë seksionet rrugore, si popullsia, trafiku, gjendja (ashpërsia e rrugës), aksesi që krijon, si edhe varfëria në zona.
- FSHZH tashmë përveç inventarit, disponon dhe listën e prioritizuar të rrugëve.
- Janë hartuar projektet teknike dhe dokumentacioni i prokurimit për një total prej 1200 km segmente rrugore.
- Janë financuar punimet në 144 segmente rrugore dytësore dhe lokale dhe ura në të gjithë vendin, në një total prej 1200 km. (referencë “Rrugët e financuara nga FSHZH 2005 – 2013” ).
- 23 specialistë të Departamentit të Infrastrukturës të angazhuar drejtpërsëdrejti në ndjekjen e kontratave të ndërtimit në kuadër të Projektit “Përmirësimi i rrugëve Dytësore dhe Lokale” u trajnuan nga FIDIC.
- Rreth 1000 persona përfaqësues të NJQV-ve janë trajnuar për funksionimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor rural. FSHZH ka vënë në dispozicion të aktorëve të përfshirë në procesin e mirëmbajtjes një soft për llogaritjen e buxhetit të mirëmbajtjes së rrjetit rrugor dytësor dhe lokal të bashkive.
- Në raportin përfundimtar të hartuar nga Banka Botërore, për financimet e BB dhe OFID I, PRRDL vlerësohet në nivelin “Highly Satisfactory”, ose shumë i kënaqshëm.
- Aktualisht kanë përfunduar dhe janë realizuar me sukses financimet e programit nga Banka Botërore, OFID, CEB, IDB, KfW, EBRD, EIB, BE – IPA.
Disa tregues mbi përfitimet e menjëhershme që kanë ardhur si rezultat i zbatimit të PRDL:
- Nxjerrja nga izolimi dhe rritja e aksesit në shërbimet jetësore bazë (spitale, shkolla; )
- Rritje e aksesit drejt tregjeve rajonale dhe lokale;
- Rritje e aksesit drejt zonave turistike;
- Kanë përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë 1 milion banorë të 153 Njësive të Qeverisjes Vendore në 12 Qarqet e Shqipërisë;
- Nxitja e zhvillimit ekonomik në zona me dendësi të madhe të popullsisë dhe prodhimtari të lartë bujqësore dhe blegtorale;
- Lidhja me rrugë e zonave të ndryshme të vendit me rrugë rajonale;
- Shkurtimi i kohës së udhëtimit me 60 %, krahasuar me kohën përpara investimit;
- Rritje e volumit të trafikut me 21 % në rrugët e rikonstruktuara;
- Reduktim i kostos së transportit publik me 8.5 %;
- Reduktim i kostove për shërbimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve për 90 % të përdoruesve;
Drejt së ardhmes
Në këtë projekt u angazhuan Qeveria Shqiptare, Banka Botërore, OFID, Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim, Norway Trust Account, Bashkimi Evropian, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Islamike e Investimeve, KfW, WBIF në një vlerë prej 368 milionë USD.
Parashikohet që Programi të vijojë me financime të tjera dhe në këtë kuadër Qeveria Shqiptare është duke negociuar me banka zhvillimore dhe institucione finanaciare ndërkombëtare.
Këto investime mundësojnë përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët përfitues, duke shkurtuar kohën e transportit për të arritur në tregjet lokale dhe në qendrat shëndetësore e arsimore. Risia e projektit të “Rrugëve Dytësore dhe Lokale” është sigurimi i qëndrueshmërisë dhe funksionalitetit afatgjatë të rrjetit rrugor nëpërmjet kontraktimit të shërbimit të mirëmbajtjes në sektorin privat.
(Përditësimi i fundit)