Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

29 Maj, 2018

Nga puset e Çermës në rubinetat e shtëpive - Fillon funksionimi i ujësjellësit Çermë - Tërbuf – Sulzotaj


TIRANË - Banorët e 9 fshatrave të Divjakës dhe Lushnjes kanë tashmë ujë 24 orë në rubinetat e tyre. Ujësjellësi Çermë - Tërbuf - Sulzotaj është funksional dhe furnizon me ujë të rrjedhshëm e higjienikisht të pastër 22,000 banorët e fshatrave Çermë e Sipërme, Çermë Proshkë, Tërbuf, Kamp, Çermë e Poshtme, Çermë Shkumbin dhe Sulzotaj të Divjakës, si dhe fshatrat Thanasaj e Dushk në Lushnje.


Prej vitesh përdornin ujë nga puse individuale për të plotësuar nevojat e tyre për ujë.
Ujësjellësi i ri i financuar nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit u dorëzua pranë Ndërmarrjes së Ujësjellës - Kanalizimeve Divjakë më datë 24 maj, 2018. Me ndërtimin e ujësjellësit të ri dhe vendosjen e tij në funksion të plotë, ka filluar puna për lidhjen e kontratave të reja me banorët.



Punimet për ndërtimin e ujësjellësit konsistuan në ndërtimin e linjës së furnizimit nga puset e Çermës, depozitimin e ujit në rezervuarin 2000 m³, ndërtimin e rrjetit të brendshëm të fshatrave me të gjitha paisjet e duhura, si dhe vendosjen e matësve të ujit për 4,000 lidhje familjare. Banorët do të furnizohen me mesatarisht me 150 litra ujë/për frymë për 24 orë.


Furnizimi me ujë të pijshëm dhe higjienikisht të pastër është një ndër sektorët në të cilët Fondi Shqiptar i Zhvillimit është angazhuar prej disa vitesh. Aktualisht, FSHZH po zbaton programin për Ujësjellësit Ruralë III që ka një shtrirje gjeografike në të gjithë vendin. Programi prej 40 milionë Eurosh të financuara nga qeveria shqiptare, Bashkimi Europian dhe qeveria gjermane nëpërmjet KfW, parashikon ndërtimin e skemave të ujësjellësve në Korçë, Kukës, Dibër, Elbasan, Vlorë, Lezhë, Tiranë, Durrës, Dibër e Berat.


Shumë shpejt pritet të fillojë programi për Ujësjellësit Ruralë IV që është i fokusuar në Bashkinë Himarë dhe që synon të zgjidhë njehërë e mirë furnizimin me ujë të pijshëm dhe trajtimin e ujrave të ndotura në bregdetin e jugut.


Ndërtimi i ujësjellësit Çermë - Tërbuf - Sulzotaj u shtohet investimeve të tjera që Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka realizuar në këtë zonë. Gjatë dy viteve të fundit FSHZH për llogari të qeverisë shqiptare përfundoi ndërtimin e 17 kilometrave rrugë rurale që përfshijnë segmentet: Unaza e Divjakës, Çermë Sektor, Tre Urat - Staravec - Gërmenj i Madh, Tre Urat - Autostradë Rrogozhinë - Lushnje, Mërtish - Tre Urat. Përfituesit direkt të këtyre investimeve janë 36 mijë banorë dhe fermerë, të cilët kanë akses më të shpejtë në shërbime dhe në tregje.