Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

28 Maj, 2018

Rruga Shkodër – Velipojë, asnjë pengesë për sezonin turistik


TIRANË – Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët punimet në rrugën Shkodër – Velipojë nuk do të përbëjnë pengesë për sezonin turistik veror.


Pas intensifikimit të punimeve që prej muajit prill është hedhur shtresa e parë e asfaltit nga Harku i Bërdicës deri në Baks. Kjo mundëson kalimin pa pengesa për të gjithë ata që udhëtojnë drejt Velipojës nga Shkodra apo nga Tirana.



Ndërkaq, puna vijon me veprat e artit dhe kanalet e kullimit dhe me vendosjen e sinjalistikës së përhershme me qëllim shmangien e aksidenteve rrugore. Në segmente të caktuara të projektit që nuk pengojnë qarkullimin e mjeteve, do të vijohet me hedhjen e shtresave të tjera të asfaltit.


Për të lehtësuar lëvizjen edhe në segmentin e aksit të vjetër në Bërdicë të Madhe dhe të Mesme po bëhet mbushja dhe asfaltimi i gropave përgjatë të gjithë aksit. Rruga e Darragjatit në njësinë administrative Dajç, që ishte dëmtuar nga kalimi i mjeteve të rënda është riasfaltuar totalisht.


Rruga Shkodër – Velipojë 18,3 kilometra është një projekt i financuar nga qeveria shqiptare me 2.3 mld lekë në kuadër të Projektit te qeverisë shqiptare për Rehabilitimin e Segmenteve Rrugore Prioritare.


Projekti është parashikuar të përfundojë në fund të vitit 2018, por për të shmanguar pengesat gjatë sezonit turistik punimet u intensifikuan. Në prill Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, z. Benet Beci u takua me përfaqësues të firmave kontraktore prej të cilëve kërkoi marrjen e të gjitha masave të nevojshme për të shmangur pengesat në qarkullimin e qytetarëve dhe turistëve që zgjedhin Velipojën për të pushuar.


Ndërkaq, inxhinierët e FSHZH monitorojë vazhdimisht punimet për t’u siguruar që gjithçka të jetë sipas standardeve më të mira.


Çdo vit janë rreth 100 mijë turistë që udhëtojnë drejt Velipojës. Përveç turistëve, rruga u vjen në ndihmë afro 15 mijë banorëve të Dajçit, Berdicës & Velipojës, të cilët kanë mundësi të nxjerrin produktet e tyre në treg më shpejt dhe me kosto më të ulët.