Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

25 Maj, 2018

Eventi i lançimit të projekti Via Dinarica mbledh bashkë të gjithë aktorët kyç në Shqipëri dhe Kosovë


TIRANË – Projekti ndërkufitar për zgjerimin e Via Dinarica në zonën ndërkufitare Shqipëri – Kosovë u lançua zyrtarisht në datë 24 maj në Bajram Curri të Tropojës në një takim që bëri bashkë përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Fondit për Zhvillimin e Komuniteteve në Kosovë (CDF), përfaqësues të Delegacionit Europian, të pushtetit lokal dhe të shoqatave e klubeve turistike.


Projekti që financohet nga Bashkimi Europian zbatohet bashkërisht nga FSHZH dhe CDF shënon partneritetin e parë të dy institucioneve simotra në Shqipëri dhe Kosovë në zbatimin e projekteve ndërkufitare.



Ai është ndërtuar në vijimësi të koncepteve të Via Dinarica dhe Majave të Ballkanit dhe ka për qëllim të zgjerojë gjeografinë e lokacioneve shqipfolëse në itinerarin e Via Dinarica, një platformë globale tashmë që nis nga Sllovenia dhe përfundon në Maqedoni, duke kaluar nëpër Shqipëri dhe Kosovë.


Shtigjet e reja për ecje dhe bicikleta që do të lidhin Pejën, Deçanin dhe Junikun në Kosovë me Kukësin dhe Tropojën në Shqipëri, rehabilitimi i infrastrukturës turistike malore, ngritja e pikave panoramike në të dy anët e kufirit, zhvillimi i programeve të tregjeve të përbashkëta pritet të pasurojnë ofertën turistike dhe marketimin me sukses të destinacioneve të reja në tregun turistik rajonal.


Nermin Mehmeti, Drejtore Ekzekutive e CDF u shpreh me nota optimiste për projektin, ndërsa nënvizoi se bashkëpunime dhe partneritete që synojnë zhvillimin e përbashkët të dy vendeve duhet të nxiten dhe të zgjerohen edhe në fusha të tjera.


Nëndrejtori i FSHZH, Blendi Bushati vuri në dukje se ky projekt ndërtohet mbi përvoja dhe modele të mëparshme që FSHZH ka aplikuar në fushën e turizmit. Më tej, ai theksoi se diversifikimi i ofertës turistike malore për një turizëm gjithëvjetor është një ndër synimet kryesorë të Masterplanit të Alpeve, i cili do të shoqërohet me paketa investimesh konkrete që pritet të fillojnë brenda këtij viti.


Partneriteti mes dy vendeve në zbatimin e këtij projekti, sipas Francesca Renzi, koordinatore e CBC pranë delegacionit të BE në Tiranë, ka për qëllim arritjen e një impakti sa më të gjerë në të dy anët e kufirit.


Projekti ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës pritet të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e komuniteteve të zonave malore dhe aktorëve që veprojnë në fushën e turizmit malor.
Banorët e zonave të Kukësit dhe Tropojës dhe operatorët turistikë lokalë do të kenë më shumë mundësi të zhvillohen dhe të kthejnë pasurinë natyrore dhe trashëgiminë kulturore e historike burim të ardhurash dhe punësimi.