Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

14 Maj, 2018

Rikonstruksioni i bulevardit “Ismail Qemali” Vlorë – përzgjidhen gurët lokalë për shtrimin


TIRANË - Guri që do të përdoret për shtrimin e Bulevardit “Ismail Qemali” në Vlorë është me origjinë nga zonat e Vlorës, Beratit dhe Lezhës. Ideja që përshkon të gjithë konceptin e projektit për bulevardin është forcimi i identitetit kombëtar dhe për këtë arsye materialet e ndërtimit janë përzgjedhur me origjinë shqiptare.


Janë 5 lloje tonalitetesh të gurëve të përzgjedhur dhe kryesisht mbizotëron ngjyra gri dhe bezhë, tipike e gurëve të Malësisë së Vlorës. Gurët do të shtrohen në 4 modele mozaikësh që do të jenë të shpërndarë në një sipërfaqe prej 63,000 metra katrorë.



Ndërkohë po punohet me nënshtresat në trup të rrugës, si dhe me vendosjen e tubave të ujësjellësit në të dyja anët e rrugës. Paralelisht me këto punime vazhdon betonimi i të gjitha pusevate të ujësjellësit dhe të linjave rezervë.


Projekti për rikonstruksionin e bulevardit “Ismail Qemali” Vlorë financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës dhe parashikohet të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm. Bulevardi “Ismail Qemali” do të lidhë monumentet historikë dhe kulturorë të Vlorës, që sot janë të ndarë dhe të palidhur, për të krijuar një bërthamë kulturore.


Sipërfaqja që do të trajtohet është 75,000 metra katrorë nga të cilat 8,000 metra katrorë janë sheshe, 11,000 metra katrorë sipërfaqe parkimi për makina, biçikleta dhe 6 hapësira të reja për aktivitete publike. Gjelbërimi është një komponente e rëndësishme e projektit, i cili parashikon mbjelljen e 15 llojeve të bimëve (pemë dhe ligustra), si dhe luleve tipike të zonës në një sipërfaqe totale prej 7,450 metrash katrorë.


Projekti parashikon reduktimin e korsive të trafikut nga 2 në 1, zhvillimin e një pedonaleje përgjatë të gjithë bulevardit dhe 5 kalime të sigurta për këmbësorët. Bulevardi transformohet në një atraksion të shtuar turistik për qytetin, ndërkohë që qarkullimi i makinave do të lehtësohet nëpërmjet lidhjes me Transballkaniken dhe Unazën e Re.


Pas ndërtimit të shëtitores përgjatë bregdetit Lungomare, e cila i dha strukturë moderne qytetit, projekti për rikonstruksionin e bulevardit “Ismail Qemali” e transformon atë në shtyllën kurrizore të identetit të Vlorës.