Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

4 Maj, 2018

Deti, burimi ende i pashfrytëzuar për zhvillimin e ekonomik


TIRANA – Edhe pse një vend me vijë të gjatë bregdetare dhe pozicion të favorshëm në detet Adriatik dhe Jon, ekonomia detare është pak e shfrytëzuar ose e shfrytëzuar keq. Edhe përpjekjet e bëra kryesisht nga sektori privat për të gjeneruar të ardhura dhe vende pune nëpërmjet kësaj ekonomie janë të fragmentuara dhe për rrjedhojë rezultatet janë jo afatgjata.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit prej 25 vitesh zhvillon aktivitetin e vet me synimin kryesor zhvillimin social dhe ekonomik afatgjatë të vendit, duke u përpjekur gjithmonë të identifikojë dhe të aplikojë qasje novatore me qëllim që zhvillimi i sektorëve ku FSHZH është aktive të jetë në koherencë me trendin europian të zhvillimit.


Në këtë kuadër, FSHZH është përzgjedhur së fundmi si agjencia zbatuese që do të përfaqësojë Shqipërinë në projektin 4helix+, që eksploron mundësitë e bashkëpunimit mes biznesit privat, qeverisë, qarqeve akademike dhe komunitetit për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë detare, një sektori me potencial të jashtëzakonshëm.



Po çfarë është ekonomia detare dhe si mund të shfrytëzohet ajo për rritjen dhe zhvillimin ekonomik? E thënë thjesht, ekonomia detare përfshin tërësinë e aktiviteteve ekonomike që bazohen në shfrytëzimin e burimeve detare: që nga peshkimi dhe transporti detar deri te turizmi dhe industritë e ndryshme.


Shumë qytetarë në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera të zhvilluara, varen nga deti dhe burimet e tij. Për këtë arsye është jetësore që vende si Shqipëria të eksplorojnë modelet e vendeve të Bashkimit Europian për të kthyer këtë burim në një gjenerues punësimi dhe mirëqenieje.
Projekti 4Helix+ financohet nga Bashkimi Europian nëpërmjet programit Interreg Med dhe vendet partnere me të cilat FSHZH do të bashkëpunojë ngushtësisht janë Spanja, Portugalia, Franca, Italia dhe Greqia.


Objektivi kryesor është ngritja e kapaciteteve dhe financimi i ideve dhe qasjeve novatore në sektorin e ekonomisë detare të Mesdheut, që vlerësohet si një nxitës ekonomik dhe një gjenerator punësimi.


Impakti i menjëhershëm i këtij projekti është marrja e përvojave, ideve dhe metodologjive novatore të përdorura në vendet e Bashkimit Europian dhe përshtatja e tyre në Shqipëri. Bashkëpunimi me një grup ekspertësh të huaj të fushës është gjithashtu një nga përfitimet direkte.


Projekti do të zgjasë 30 muaj dhe FSHZH do të bashkëpunojë me institucionet qeveritare në nivel qëndror dhe lokal, biznesin privat, qarqet akademike dhe komunitetin e zonave bregdetare.


Kjo është gjithashtu një mundësi shumë e mirë për të nxitur frymën e bashkëpunimit dhe ndarjes së përvojave e modeleve të suksesshme me vendet e Mesdheut.