Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

2 Maj, 2018

Blue Boost, FSHZH pjesë e partneritetit rajonal në mbështetje të nismave novatore për fuqizimin e ekonomisë blu


TIRANA – Shqipëria është bërë pjesë e rrjetit të vendeve partnere të angazhuara në projektin Blue Boost (Rritja Blu) i fokusuar në rritjen e ekonomisë blu në zonat bregdetare të hapësirës Adriatiko - Joniane.
Në datat 23 dhe 24 Prill u mbajt në Zadar të Kroacisë, takimi i parë mes partnerëve të projektit (Rritja Blu) që krahas Shqipërisë përfshijnë Italinë, Kroacinë dhe Greqinë.


Blue Boost është pjesë e strategjisë së Bashkimit Euorpian për Rajonin Adriatiko - Jonian (EUSAIR), që është shpallur në vitin 2014. Kjo është strategjia e parë makro-rajonale e BE-së me një numër kaq të madh vendesh jashtë BE-së: Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat bashkëpunojnë me vendet anëtare të BE-së: Kroacia, Greqia, Italia dhe Sllovenia.


Projektet e hartuara në kuadër të kësaj strategjie synojnë të nxisin bashkëpunimin mes vendeve anëtare dhe vendeve jo - anëtare në hapësirën Adriatiko-Joniane në fusha si promovimi i ekonomisë detare, ruajtja e mjedisit detar, kompletimi i lidhjeve të transportit dhe energjisë dhe nxitja e turizmit ekologjik.


Blue Boost financohet nga Bashkimi Europian nëpërmjet programit IPA Adrion dhe në Shqipëri mbështetja do të ketë në fokus novacionin dhe bizneset e reja në sektorin e turizmit të qëndrueshëm.



Përzgjedhja e nismave dhe bizneseve do të bëhet nga ekspertë vendas dhe të huaj bazuar në kritere të qarta dhe transparente. Përfituesit do të mbështeten me këshillim dhe ekspertizë falas, si dhe do t’u ofrohet mundësia të hyjnë në marrëdhënie bashkëpunimi me nisma dhe biznese të ngjashme në vendet e rajonit që janë anëtare të BE-së. FSHZH do të orientojë dhe mbikqyrë të gjithë procesin.


Përgjatë periudhës 22 mujore të projektit do të identifikohen skema novatore, biznese të reja në moshë ose të sapokrijuara dhe që synojnë të aplikojnë metoda novative në aktivitetin e tyre si për shembull: në menaxhimin e siteve turistike dhe atraksioneve të tjera, në fushën e agro-përpunimit, në prodhimin dhe shitjen e produkteve sportive, në ndërtimin e objekteve të shërbimeve, etj.
Zonat pilot që janë përzgjedhur janë Shëngjini, Vlora, Saranda dhe Durrësi.


Ekonomia blu është term i gjerë, por aspekte të saj që lidhen me fushat e sipërpërmendura do të integrohen në projekte më të mëdha në infrastrukturë dhe turizëm që Fondi Shqiptar i Zhvillimit zbaton prej vitesh.