Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

30 Prill, 2018

Ulëza, një histori suksesi e qasjes së integruar të investimeve


TIRANË – Nëse ka një zonë që mund të konsiderohet si histori suksesi kur vjen fjala për impaktin që investimet në infrastrukturë sjellin në zhvillimin e një zone dhe rigjallërimin ekonomik e social të saj, kjo është Ulëza.


E pozicionuar midis bashkive Mat dhe Mirditë, Parku Rajonal i liqenit të Ulëzës ka një sipërfaqe prej 4,206 hektarësh dhe shtrihet nëpër të gjithë kurorën e liqenit të Ulëzës dhe Shkopetit në një lartësi 400 m mbi nivelin e detit. Kjo është zona turistike më e afërt për banorët e këtyre bashkive, të cilët e frekuentojnë edhe për plazh gjatë verës. Pas shpalljes Park Natyror Rajonal rreth pesë vite më parë, tashmë Ulëzën e vizitojnë edhe turistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit, si dhe turistë të huaj nga Italia, Franca, Gjermania, Çekia e Polonia.


Me bukuritë natyrore, pyjet me shtigje për ecje, liqenin për lundrim dhe plazh, kullat e vjetra plot histori nga e kaluara dhe kishat, ushqimi tradicional me bazë peshku dhe prodhime bujqësore të zonës, Ulëza ka shumë për t’i ofruar turistëve përgjatë gjithë vitit.


Aktualisht Fondi Shqiptar i Zhvillimit është duke përfunduar rrugën hyrëse të Ulëzës përgjatë aksit rrugor Milot-Burrel. Rruga 2,2 kilometra është pjesë e Parkut Natyror Rajonal Ulëz dhe është një investim i qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës. Rruga është ndërtuar fillimisht në vitin 1955 dhe që prej asaj periudhe nuk ishte vënë në dorë ç’ka kishte sjellë amortizimin e skajshëm dhe në disa vende rruga ishte bërë e pakalueshme.



Si rezultat i ndërhyrjes, trupi i rrugës është zgjeruar, janë ndërtuar veprat e artit për displinimin e ujrave sipërfaqësorë dhe nëntokësorë, ndërkohë që rruga do të pajiset me barriera mbrojtëse dhe elementë të tjerë të sigurisë rrugore.


Projekti për rikonstruksionin e rrugës hyrëse të Ulëzës parashikohet të përfundojë në Korrik të këtij viti duke kompletuar paketën e investimeve që Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka kryer ndër vite në këtë zonë për llogari të qeverisë shqiptare dhe CEB-it.


Më herët, FSHZH ka realizuar investime për ndërtimin e kanalizimeve dhe depurifimin e ujrave të zeza, ndërtimin e ujësjellësit dhe sistemin e shpërndarjes së ujit të pijshëm, rikonstruksionin e sheshit qëndror dhe fasadat e ndërtesave shtetërore. Këto investime të qeverisë shqiptare dhe CEB-it kapin shifrën totale prej 168 milionë lekësh.


Rreth 2,000 banorë të Ulëzës janë përfitues të drejtpërdrejtë të këtyre investimeve, ndërsa numri i përfituesve indirektë kap shifrën e rreth 49,000 mijë banorëve.


Për të promovuar Ulëzën si një destinacion kombëtar turistik, së fundmi është ndërmarrë një nismë e 5 institucioneve që përfshijnë Bashkinë Mat, Agjencinë për Zhvillim Rajonal 2, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit për krijimin e Ulëza Eco Park.


Këto institucione nënshkruan së fundmi një marrëveshje bashkëpunimi, që në thelb ka për qëllim koordinimin e veprimeve për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës dhe mbrojtjen e mjedisit, promovimin dhe përmirësimin e menaxhimit të pasurive natyrore. Fondi Shqiptar i Zhvillimit vë në dispozicion të gjithë ekspertizën e vet për organizimin e aktiviteteve studimore për zhvillimin e mëtejshëm të “Ulza Eco Park”.


Krahas frenimit të migracionit të popullsisë së zonës brenda ose jashtë vendit, shndërrimi i Ulëzës në një destinacion të mirëfilltë turistik pritet të nxisë zhvillimin e ekonomive familjare si për shembull nëpërmjet ndërtimit të bujtinave për turistët, shitjes së punimeve artizanale, produkteve bujqësore, etj.