Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

27 Prill, 2018

Korridori turistik i jugut, fillon procesi për zhvillimin e produktit turistik për 4 bashki

TIRANË – Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bankën Botërore ka filluar nga puna për zhvillimin e produktit turistik dhe strategjisë së tregut për jugun e Shqipërisë dhe bashkitë Përmet, Sarandë, Gjirokastër dhe Berat.


Strategjia do të zhvillohet në kuadër të projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik, një projekt kompleks që financohet nga qeveria shqiptare e Banka Botërore dhe zbatohet nga FSHZH. Ky projekt ka filluar vitin e kaluar dhe rreket të zhvillojë turizmin në jugun e vendit nëpër korridorin turistik të qarqeve Vlorë, Berat dhe Gjirokastër, me fokus katër bashkitë Berat, Sarandë, Përmet dhe Gjirokastër. (http://www.albaniandf.org/shqip/aktivitete/Pages/PZHIUT.html)


Krahas nxitjes së partneriteteve ndërmjet bashkive dhe aktorëve kyç në fushën e turizmit, Komponenti III i PZHIUT ka si objektiv dhe zhvillimin e të paktën 20 produkteve të reja turistike dhe lidhjen e tyre me tregjet potenciale.



Pas përzgjedhjes së kompanisë së konsulencës që do të zhvillojë produktin dhe strategjinë e marketimit, FSHZH dhe Banka Botërore zhvilluan një takim për të dakordësuar metodologjinë dhe afatet kohore në të cilat do të kalojë ky proces.


Analiza e tregut turistik, që është edhe hapi i parë i procesit do të përcaktojë çfarë produkti turistik mund të ofrojë jugu i vendit në kufijtë e tri qarqeve të sipërpërmendura dhe si duhet të pozicionohet ky produkt në tregun turistik me qëllim që të jetë i konkurrueshëm. Po ashtu, gjatë fazës së parë parashikohet të identifikohen zinxhirët e vlerës, zhvillimi i brandit dhe përcaktimi i kornizës së strategjisë për marketimin.


Faza e dytë do të fokusohet në planin e veprimit dhe hartimin e një strategjie 2-vjeçare për zhvillimin e produkteve dhe tregut turistik. Po gjatë kësaj faze do të jepen rekomandime për strukturat e menaxhimit të destinacioneve (DMO) dhe rregullimin e kuadrit institucional për funksionimin e tyre. Këto rekomandime do të jepen pas studimit të gjendjes në secilën prej 4 bashkive fokus të projektit duke sugjeruar zgjidhje sipas kushteve dhe situatës. Kjo do të thotë se do të vendoset rast pas rasti nëse DMO-të do të menaxhohen nga njësitë administrative vendore, sektori privat apo struktura të tjera. I gjithë procesi do të monitorohet në bazë të indikatorëve konkretë dhe të matshëm.


Projekti për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik ka një kohëzgjatje 5- vjeçare dhe ka një financim total prej 63.8 milion Eurosh. Në këtë periudhë 5-vjeçare parashikohen ndërhyrje në shkallë të gjerë që nga rehabilitimi i infrastrukturës urbane dhe zhvillimi i qendrave turistike, deri te zhvillimi i produktit turistik për secilën nga bashkitë, si dhe marketimi i tyre.