Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

5 Prill, 2018

Panairi Mesdhetar i Turizmit për turistët, por edhe për investitorët


TIRANË – Turizmi mbetet sektori kyç nëpërmjet të cilit Shqipëria synon të konkurrojë fuqishëm në tregjet ndërkombëtare dhe të gjenerojë rritje ekonomike të qëndrueshme.


Vitet e fundit Shqipëria ka qenë gjithmonë e më shumë e pranishme në mediat ndërkombëtare, por edhe në paketat turistike të operatorëve turistikë të huaj, si një destinacion i ri që ia vlen të zbulohet. Megjithë trendin pozitiv janë një sërë sfidash që kanë nevojë të adresohen me qëllim tërheqjen e investitorëve të mëdhenj.


Krahas sigurisë së destinacioneve të veçanta, mundësisht unike, investitorët kërkojnë së pari siguri për investimin e tyre, partnerë të besueshëm për realizimin dhe infrastrukturë publike sipas standardeve më të mira.


Në Panairin Mesdhetar të Turizmit që do të zhvillohet në datat 6-7 prill, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të jetë pjesëmarrës si një ndër institucionet që ka realizuar projektet më të rëndësishme publike me impakt të drejtpërdrejtë në fushën e turizmit.



Sipas Drejtorit Ekzekutiv të FSHZH, Benet Beci pjesëmarrja në këtë panair ka për qëllim që të tregojë përpara investitorëve potencialë se në Shqipëri mund të gjejnë partner të sigurt për investimet e tyre dhe nga ana tjetër vizitorët e ndryshëm të kuptojnë çfarë pune është dashur të bëhet për të pasur destinacione turistike me standardet më të mira.


Që nga dhënia e aksesit në destinacione të reja, përmirësimi i infrastrukturës në destinacionet ekzistuese, te rikualifikimi i objekteve dhe zonave që janë pjesë e trashëgimisë kulturore, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka qenë instrumenti më i besueshëm dhe efikas i institucioneve financiare të huaja dhe qeverisë për jetësimin e politikave për zhvillimin e sektorit të turizmit.


“Në çdo rast projektet që ne zbatojmë kanë për qëllim të fundëm përmirësimin e kushteve ekonomike të banorëve përfitues që gradualisht do të sjellë rritje ekonomike në nivel kombëtar. Sigurisht impakti real i çdo projekti kërkon kohën e vet. Asgjë nuk ndërtohet brenda natës, por rastet si Tamara dhe Lëpusha që deri dje ishin vetëm koncepte gjeografike dhe tashmë janë kthyer në destinacione të mirëfillta turistike na bëjnë optimistë”, tha kreu i FSHZH, Beci.


Malësia e Kelmendit është një destinacion që i është shtuar vitin e kaluar hartës turistike si rezultat i ndërtimit të rrugës Shkodër-Vermosh dhe do të jetë pjesë e stendës së FSHZH-së në këtë panair.


Përmirësimi i infrastrukturës në destinacione ekzistuese si Vlora me Lungomaren dhe sheshet publike, apo Himara me shëtitoren e re, ndërhyrjet në shtëpitë e vjetra të Vunoit e Dhërmiut dhe sistemimi i infrastrukturës turistike në plazhet e mrekullueshme të Jalës e Dhërmiut, janë disa projekte të tjera me orientim turizmin me të cilat FSHZH përfaqësohet.


“Të realizojmë atë çfarë është më e mira për zhvillimin edhe pse kjo mund të nënkuptojë shembjen e barrierave të larta dhe të vështira, qëndron në thelb të filozofisë të prezantimit tonë në këtë panair,” tha Beci.


Edicioni i 2-të i Panairit Mesdhetar të Turizmit do të qëndrojë i hapur në datat 6-7 prill në mjediset e Expo City. Ky panair është organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për t’i dhënë një shtysë dhe qasje të re rajonale zhvillimit të turizmit.


Pjesëmarrës në këtë edicion janë institucione dhe tur operatorë nga Greqia, Turqia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Bosnia-Herzegovina, Kroacia, etj.