Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

4 Prill, 2018

FSHZH dhe Fakulteti i Arkitekturës e Urbanistikës bashkëpunim me interes të përbashkët


TIRANË – Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës do të bashkëpunojnë në të ardhmen me qëllim garantimin e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së projekteve.


Marrëveshja e bashkëpunimit u firmos nga Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit z. Benet Beci dhe dekanit të Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës z. Florian Nepravishta.


Fakulteti do të vendosë në dispozicion të FSHZH-së kapacitetet e veta akademike për të sjellë një qasje sa më profesionale dhe novatore në projektet e zhvillimit, ndërsa FSHZH do t’u ofrojë studentëve dhe pedagogëve mundësinë për të qenë pjesëmarrës aktivë në detyrat e projektimit dhe këshillimit, si dhe në diskutimet publike që zhvillohen përpara dhe gjatë zbatimit të projektit.



“Jam shumë i kënaqur për këtë bashkëpunim, pasi gjithmonë e më shumë në projektet që zbatojmë po i japim rëndësi elementit arkitekturor. Me qëllim që të gjitha projektet të jenë të plotësuar me elementët e arkitekturës dhe pejsazhit kemi përforcuar kapacitetet tona të brendshme. Synimi ka qenë të kemi gjithmonë qasje të reja në projektim. Prandaj edhe ky bashkëpunim vjen në momentin e duhur dhe e konsiderojmë si një vlerë të shtuar,” tha Beci.


Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës ka 1,500 studentë dhe prej kohësh po bëhen përpjekje për të bashkëpunuar me institucione të ndryshme dhe me strukturat e qeverisjes vendore për t’I dhënë universitetit një rol më aktiv. “Me të njëjtën përqasje duam të bashkëpunojmë edhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit duke ofruar studime, konsulenca teknike, mbështetje në zhvillimin e projekteve strategjike dhe shkëmbimin e ideve për projektet e ardhshme,” tha z. Nepravishta.


Bashkëpunimi për pjesën didaktike fillon menjëherë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës do të kenë mundësi të zhvillojnë praktikën profesionale pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe do të mund të jenë aktivë në projektet e FSHZH që nga faza e konceptimit deri në fazën përfundimtare të zbatimit duke konkurruar me ide dhe plane konkrete.


Në fazat e mëvoshme parashikohet që bashkëpunimi të shtrihet në të gjitha nivelet e arsimit pasuniversitar.