Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

11 Dhjetor 2017

KKT miraton planin për zhvillimin e Alpeve. Prezantohet paketa e investimeve për Shkodrën turistike


TIRANE – Plani Kombëtar Sektorial i Turizmit për Alpet shqiptare u miratua të shtunën në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit, që u zhvillua më 9 dhjetor në Shkodër. Ky plan bashkë me studimin për kërkesën turistike, programin e investimeve për infrastrukturën vendore dhe strategjinë e marketingut turistik përbëjnë Masterplanin e Alpeve.


Fondi Shqiptar i Zhvillimit është angazhuar prej fillimit të vitit 2016 në hartimin e Masterplanit të Alpeve, që orienton zhvillimin e qëndrueshëm të zonës dhe i hap rrugë fillimit të investimeve të integruara me qëllim rritjen ekonomike të të gjithë rajonit përgjatë 15 viteve në vazhdim. Drejtimet kryesore të zhvillimit të zonës së alpeve sipas Planit Kombëtar Sektorial të Turizmit do të jenë: turizmi, zhvillimi rural, energjia, industria e lehtë, kulinaria, etj.


Plani u prezantua nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi përpara përfaqësuesve të pushtetit vendor, përfaqësuesve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ekspertëve të turizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe banorëve të Shkodrës.



Zbatimi i këtij plani përgjatë 15 viteve, kombinuar me programin e investimeve për infrastrukturën vendore dhe strategjinë e marketingut turistik të zonës pritet të sjellë një përfitim ekonomik prej 980 milionë eurosh. Numri i turistëve pritet të kapë shifrën rreth 600,000 brenda vitit 2031, ndërsa koha e qëndrimit pritet të zgjatet. Qasja rajonale e ndërhyrjeve në të gjithë zonën dhe në të gjithë zinxhirët e vlerës, si dhe ndërhyrjet minimaliste në pejsazhet natyrore janë dy elementë të veçantë mbi të cilët është ngritur ky projekt.


Plani i turizmit për Alpet shqiptare u prezantua në Këshillin Kombëtar të Territorit bashkë me paketën e projekteve Shkodra turistike. Gjatë prezantimit të kësaj pakete, Zëvendëskryeministrja, Senida Mesi theksoi dy përqasjet kryesore në hartimin e saj: qasja territoriale dhe atë sektoriale.


Rreth 75 milionë Euro janë akorduar nga qeveria shqiptare dhe donatorë të huaj për investime me fokus zhvillimin e turizmit për vitet 2017 – 2021. Janë një numër projektesh që tashmë kanë filluar dhe janë në zbatim si për shembull ndërtimi i rrugës Shkodër – Velipojë. Ndërkohë pritet të fillojë investimi për projekte të tjera të rëndësishme si segmentet Shëngjin- Velipojë dhe Velipojë – Ulqin. Po ashtu vitin e ardhshëm pritet të fillojë nga zbatimi projekti për sistemimin e bregut perëndimor - Ura e Bunës – Shirokë, si dhe projekte pilot për investime në 16 fshatra me potencial turistik.