Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

16 Nentor 2017

Shishtaveci, ndërhyrje të integruara për mundësi të zhvillimi në zonat rurale


TIRANE - Shishtaveci ishte një ndër stacionet e udhëtimit të gazetarëve që Ambasada gjermane në Tiranë organizon në kuadër të aktiviteteve të Tetorit gjerman. Në 15 nëntor, grupi i gazetarëve vizitoi rrugën Kukës - Shishtavec dhe ujësjellësin Novosej - Kollovoz, dy projekte te zbatuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bashkëpunimit Gjerman, KfË. Projektet janë zbatuar në kuadër të Programit “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale” dhe Programit të Ujësjellësve Ruralë. Dy programet në fjalë janë ndër më të rëndësishmit dhe më jetëgjatët dhe janë financuar nga qeveria shqiptare dhe donatorë të huaj si Bashkëpunimi Gjerman/KfË, BE, BERZH, etj.


Të pranishëm ishin Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz, përfaqësues të Bashkëpunimit Gjerman në Shqipëri përkatësisht Björn Thies drejtori i KfË dhe Hans-Juergen Cassens, drejtori i zyrës së GIZ në Shqipëri, kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, etj. Duke bërë një prezantim të shkurtër të rrugës Kukës-Shishtavec dhe të ujësjellësit Novosej – Kollovoz, ekspertët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit nënvizuan rëndësinë që këto dy projekte kanë për banorët e zonës së Shishtavecit. E konsideruar ndër zonat më të varfra dhe me numrin më të lartë të azilkërkuesve, rruga e re dhe ujësjellësi, që është vetëm një ndër 4 të ndërtuar në këtë zonë, pritet që të krijojnë perspektiva të reja zhvillimi për banorët. Ndërtimi i rrugës Kukës – Shishtavec dhe i ujësjellësve janë dy nga shembujt e shumtë të ndërhyrjeve të integruara që FSHZH kryen me qëllim krijimin e mundësive të reja për zhvillimin social- ekonomik në Shqipëri. Bukuritë natyrore të bjeshkëve të Shishtavecit, bashkë me atraksione të tjera të zonës kanë tashmë infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar turizmin në të katër stinët e vitit.



Rruga Kukës – Shishtavec


Kjo është e vetmja rrugë lidhëse për 19 fshatrat e komunave Zapod, Topojan e Shishtavec me rrugën nacionale dhe qytetin e Kukësit. Për herë të parë rruga është hapur në vitin 1978 dhe prej atëherë nuk ishte kryer asnjë investim serioz. Rruga në total është 23 km dhe rindërtimi i saj është ndarë në 3 lote të financuara nga qeveria shqiptare, Banka Islamike për Zhvillim, Bashkëpunimi Gjerman (KfW) dhe BE nëpërmjet fondeve IPA 2009.


Fondit Shqiptar të Zhvillimit iu besua rindërtimi i kësaj rruge me rëndësi jetike për 14,000 banorë. Përpara investimit gjendja e rrugës ishte shumë e keqe dhe nuk lejonte qarkullimin normal të mjeteve, çka e bënte pengesë serioze për transportin normal të njerëzve dhe mallrave. Në të gjithë gjatësinë e saj rruga ka qënë vetëm me një kalim, e dëmtuar dhe e pakalueshme për autoveturat, duke izoluar banorët e këtyre komunave për disa muaj gjatë dimrit.


Tashmë rruga ka të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, sinjalistikën, kanalizimet e ujrave të bardha, vepra arti, ura, mure mbajtës dhe pritës, etj. Punimet kanë përfunduar në pranverë të vitit 2016 ndërkohë që gjatë kësaj kohe FSHZH ka qenë institucioni përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugës dhe sigurimin e respektimit të standardeve më të mira për rrugët e këtij lloji. Ndërtimi i kësaj rruge rrit mundësitë e komunikimit edhe me komunën e Dragashit në Kosovë, përmes pikës së kalimit kufitar të Shishtavecit.


Ujësjellësi Novosej – Kollovoz


Zbatimi i projektit ka përfunduar në Maj të vitit 2015. Rreth 1,900 banorë të kësaj zone tashmë furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë në ditë, sipas standardeve më të mira përsa i përket sasisë, cilësisë dhe higjienës. Ndërtimi i këtij ujësjellësi i dha fund përpjekjeve të banorëve për të siguruar ujin e pijshëm përmes një sistemi të amortizuar, linjave të ngritura individualisht apo çezmave publike, shpesh në distanca shumë të largëta.


Sistemi furnizohet nga rezervuari i burimeve të Kallabakut dhe krahas nevojave të 437 familjeve, përballon edhe nevojat e qendrave shëndetësore, shkollave dhe blegtorisë. Ujësjellësi është planifikuar të përballojë kërkesat për ujë deri në vitin 2033. Ujësjellësi Novosej – Kollovoz është një ndër 4 skemat e ndërtuara në zonën e Shishtavecit në kuadër të Programit të Ujësjellësve Ruralë financuar nga qeveria shqiptare dhe KfW. Të paktën 17 skema të tjera janë financuar përmes këtij programi duke zgjidhur problemin e furnizmit me ujë të pijshëm për 25 fshatra në qarqet Kukës, Dibër dhe Shkodër. Numri total i përfituesve shkon në rreth 17,000 banorë.