Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

13 Nentor 2017

Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit/ FSHZH vendos bashkëpunimin me projekte homologe në Gjeorgji


Tiranë – Bashkëpunimi për zhvillimin e modeleve të suksesshme të turizmit me impakt të qenësishëm në ekonominë kombëtare ishte në fokus të vizitës që përfaqësues të Fondit për Zhvillimin Bashkiak të Gjeorgjisë zhvilluan në datat 6-10 nëntor në Shqipëri.


Në mjediset e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, përfaqësues të fondit nga Gjeorgjia dhe përfaqësues të Bankës Botërore, një prej donatorëve më të mëdhenj aktualisht në fushën e turizmit në Shqipëri, u takuan me drejtues dhe ekspertë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.


Vizita kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave lidhur me modelet për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në nivel rajonal.



Që prej muajit prill të këtij viti FSHZH po zbaton projektin Zhvillimi i Integruar Urban dhe Turistik (PZHIUT) financuar nga Banka Botërore dhe qeveria shqiptare, që do të vazhdojë deri në vitin 2022. Objektivat madhorë të projektit përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës urbane, rritjen e vlerës së aseteve turistike, forcimin e kapaciteteve institucionale për mbështetjen e zhvillimeve ekonomiko-sociale që lidhen me turizmin.


Banka Botërore financon një projekt të ngjashëm në Gjeorgji. Gjatë takimeve u identifikuan pikat e përbashkëta të projekteve në kuptimin e treguesve dhe objektivave që synohen të arrihen. Nxitja e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave u identifikua si një instrument shumë ndihmues në ndërtimin e modeleve të suksesshme të një sektori që të dyja vendet e konsiderojnë të rëndësishëm për ekonominë kombëtare.


Miqtë nga Gjeorgjia patën rast të shohin nga afër edhe Sarandën, Gjirokastrën, Beratin dhe Përmetin. Në këto qytete FSHZH nëpërmjet projektit PZHIUT po kryen një numër ndërhyrjesh të shpejta që kanë për qëllim rehabilitimin e rrugëve të këmbësorëve, pikave panoramike, shesheve, si dhe zhvillimin e qendrave dhe produkteve turistike.