Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

31 Tetor 2017

Rruga e Lumit të Vlorës, korridori i perspektivave të reja për zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit


Tiranë - Pas sigurimit të financimit për pjesën e dytë të rrugës së Lumit të Vlorës 30 km nga Fondi Saudit për Zhvillim, rruga e Lumit të Vlorës do të përfundojë në vitin 2020. Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar për Zhvillim, z. Benet Beci prezantoi përpara deputetëve të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese projektin e këtij aksi veçanërisht të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe turizmin në këtë rajon. Gjatësia totale e rrugës është 94 km, ndërkohë që 64 kilometrat e para janë financuar nga qeveria shqiptare. Rruga e Lumit të Vlorës fillon nga Bypass-i i Vlorës - Ura e Peshkëpisë, Ura e Laskos- Qeparo, si dhe degëzimi Ura e Peshkëpisë – Selenicë - superstrada Levan -Tepelenë. Ky aks, i cili nis në Vlorë dhe përfundon në Qeparo përveçse siguron një lidhje të re për bregdetin e joint, hap perspektiva të reja zhvillimi për fshatrat e kësaj zone. “Projekti i rrugës që paraqesim sot është shumë i rëndësishëm, pasi shërben si një bypass për të gjithë trafikun, pa qenë nevoja për të hyrë në Vlorë. Aksi 94 km del në zemër të bregdetit jonian dhe kalon nëpërmjet kësaj zone që ka absolutisht nevojë të ketë një korridor lidhës me pjesën tjetër të vendit. Jo vetëm kaq, por edhe për periudhën e sezonit turistik ky aks lehtëson ndjeshëm trafikun që sot kalon nëpër Vlorë dhe në Llogara,” tha z. Beci në prezantimin e projektit.



Me këtë marrëveshje huaje plotësohet krejt pjesa e financimit për këtë segment që është ndër më të rëndësishmit për zhvillimin ekonomik, por edhe turizmit në këtë rajon. Rruga do të këtë 2 korsi nga 3,5 kilometra. Urat dhe veprat e tjera të artit të parashikuara në projekt do të ndërtohen rishtas. Ndërkohë, paralelisht me miratimin e marrëveshjes, po vijojnë procedurat e supervizionit ndërkombëtar me qëllim që rruga të jetë e parametrave më të mirë. Më pas do të vijohet me procedurat e përzgjedhjes së kompanive që do të kryejnë ndërtimin.


Popullsia e zonës së lumit të Vlorës arrin në mbi 40,000 banorë dhe përbën rreth 16% të të gjithë popullsisë së Qarkut të Vlorës. Në zonën në fjalë ka më shumë se 60 fshatra me një dendësi të madhe popullsie dhe veçanërisht moshë të re.


Ky segment rrugor së bashku me segmentin rrugor te financuar nga Fondi Kuvajtjan për Zhvillim, plotësojnë projektin e “Rehabilitimit të Rrugës së Lumit të Vlorës” për të cilin është hartuar studimi i fizibilitetit nga ana e FSHZH-së.


Krahas përmirësimit të aksesit në rrugë dhe shkurtimit të distancave, projekti do të gjenerojë një numër përfitimesh sociale dhe ekonomike përfshirë aksesin në tregjet rajonale dhe lokale për fermerët, reduktimin e papunësisë dhe rritjen e të ardhurave për popullsinë lokale nëpërmjet intensifikimit të aktiviteteve ekonomike ekzistuese. Diversifikimi i ekonomisë lokale me aktivitete të reja si ekoturizmi, aktivitete sociale, sportive dhe kulturore, etj., janë gjithashtu disa nga përfitimet direkte që ndërtimi i kësaj rruge pritet të sjellë për popullsinë e kësaj zone në periudhën afatmesme.