Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

10 maj 2016

Përurohet Muzeu Kombëtar Marubi


Më datë 9 maj 2016, në Shkodër në ditën e Europës u përurua hapja e Muzeut Kombëtar Marubi. Pjesëmarrës në këtë ceremoni të hapjes ishin Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, Ministrja e Kulturës, Znj. Mirela Kumbaro, Zëvendëskryeministri, Z. Niko Peleshi, Ministria e Mbrojtjes, Znj. Kodheli, Ministri i Shtetit per Çështjet Vendore, Z. Bledi Çuci, Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Z. Benet Beci, përfaqësues të donatorëve që mundësuan ngritjen e këtij muzeu, përfaqësues të trupave diplomatikë, deputetë të Shkodrës, përfaqësues të Bashkisë dhe Qarkut Shkodër, si dhe banorë të shumtë.



Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, u mundësua nga një iniciativë e përbashkët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Ministrisë së Kulturës me financimin e Qeverisë Shqiptare, Bashkimit Europian- Projekti HERA, Fondacionit Shqiptaro - Amerikan të Zhvillimit dhe Qeverisë Zviceriane gjatë periudhës 2013-2016.


Ideja e ngritjes së një Muzeu Kombëtar të Fotografisë Shqiptare erdhi si një domosdoshmëri e njohjes së publikut me një nga visaret më të vyera të trashëgimisë kombëtare shqiptare dhe botërore, arkivin fotografik të Dinastisë Marubi, të pasuruar edhe me punimet e nëntë fotografëve të tjerë bashkudhëtarë në historinë e fotografisë në Shqipëri.


Në qendër të Muzeut Kombëtar Marubi qëndron “Foto-Studio Marubi” e cila u themelua në Shqipëri në vitin 1856 nga Pietro Marubbi, një piktor dhe fotograf italian që kishte ardhur dhe ishte vendosur në Shkodër. Kjo ndodhi vetëm 19 vjet pas shpikjes së fotografisë. Më tej “Foto-Studio Marubi” do të drejtohej dhe pasurohej nga tre breza fotografësh deri në vitin 1946, kur Gegë Marubi vendosi edhe mbylljen e saj për të mbërritur te Fototeka Marubi që u krijua si një sektor i Muzeut Historik të qytetit të Shkodrës në vitin 1970 me një arkivë prej rreth 500.000 negativësh në xham të përmasave dhe teknikave të ndryshme.