Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

4 shkurt 2016

Zhvillohet Mbledhja e 1-rë e Bordit të Përbashkët për Zhvillimin Rajonal të Zonës Ndërkufitare Shqipëri - Kosovë


Sot në Zyrën Rajonale të FSHZH-së, në Gjakovë u mbajt mbledhja e 1-rë e Bordit të Përbashkët për Zhvillimin Rajonal të Zonës Ndërkufitare Shqipëri – Kosovë. Pjesëmarrës në këtë takim ishin Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i FSHZH-së, Znj. Mimoza Kusari-Lila, Kryetare e Komunës së Gjakovës, Z. Qemal Minxhozi, Ambasador i Shqipërisë në Kosovë, Z. Besnik Dushaj, kryetar i Bashkisë Tropojë si dhe përfaqësues të tjerë të FSHZH.


Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë për Kosovën e Shqipërinë, Z. Ian Braathu. Qeveria norvegjeze ka mundësuar një grant për asistencë teknike për kryerjen e një studimi për situatën dhe identifikimin e masave të nevojshme për zhvillimin e një zone pilot Gjakovë-Tropojë-Has, në zonën CBC AL-KS, si një veprim pararendës për të gjithë zonën ndërkufitare.



Mbledhja e Bordit të Përbashkët organizohet në vazhdën e një serie përpjekjesh që FSHZH ka ndërmarrë, që nga fillimi i vitit 2014, për materializimin e angazhimit për bashkëpunim të ngushtë institucional, ekonomik e kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës, angazhim që është artikuluar qartësisht në nismën e ndërmarrë prej qeverive të dy vendeve.


Ky Bord është një instrument i dobishëm për qeverisjen si në nivel qendror ashtu dhe në nivel lokal për të maksimizuar burimet dhe mjetet e përcaktuara për zhvillimin e komuniteteve në zonë duke i dhënë shtysë veprimit të përbashkët.


Bordi do të miratojë dokumentat strategjikë të zhvillimit rajonal; do të mbështesë e promovojë sipërmarrjet e aktorëve lokalë pjesë e kësaj iniciative; si dhe do të nxisë bashkëpunimin mes njësive lokale e rajoneve në të dy anët e kufirit.


Fokusi i takimit ishte konstituimi i Bordit të Përbashkët, miratimi nga anëtarët i dokumenteve bazë të Bordit, si hartimi i një plani për funksionimin në vazhdimësi të tij.