Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

30 Janar 2016

Vlorë, infrastrukturë e një qyteti mesdhetar turistik


Rruga Transballkanike është një investim me rëndësi strategjike në infrastrukturën jo vetëm të qytetit të Vlorës, por edhe të vendit. Aktualisht po vijojnë me intensitet punimet drejt finalizimit të segmenti rrugor me gjatësi rreth 1,4 kilometra, i cili lidh rrugën Transballkanike me superstradën Fier-Vlorë, një investim me vlerë rreth 346 milion lekë. Projekti i hartuar sipas të gjitha standardeve rrugore europiane, i mbështetur edhe në planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Vlorës, parashikon sistemimin e shtresave të rrugës dhe të kanaleve të ujërave të larta, rrjetin e ndriçimit rrugor, si dhe vendosjen e sinjalistikës dhe gjelbërimin përgjatë rrugës. Deri tani në objekt kanë përfunduar punimet për zgjerimin e rrugës, spostimin e linjës së ujësjellësit dhe po punohet për vendosjen e bordurave të rrugës në të dy krahët, si dhe për zonën trafikndarëse.



Përfundimi i rrugës Transballkanike do të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen e mjeteve të transportit në hyrje dhe dalje të qytetit të Vlorës. Gjithashtu, ndërtimi i saj do të lehtësojë njëkohësisht lëvizjen e mjeteve brenda qytetit, në port, në zonën industriale, në zonën bregdetare dhe anasjelltas.


Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Benet Beci ishte sot i pranishëm, për të parë nga afër ecurinë e punës. Kryeministri u takua dhe diskutoi me drejtues të punimeve mbi zhvillimin e deritanishëm të projektit.



Drejtori i FSHZH Benet Beci informoi mbi elementet e projektit. ”E gjithë rruga ka një gjerësi prej 30 metrash, trotuaret nga 3 metra, ndriçim dhe gjelbërim në të dy anët”.



Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama në bisedën me ekspertë të punimeve kërkoi t’i kushtohet shumë vëmendje cilësisë dhe standardeve të këtyre punimeve, të cilat duhet të ofrojnë një infrastrukturë të denjë për një qytet mesdhetar turistik. “Pas kësaj kemi vazhdimin e Transballkanikes me standarde, deri ku është drejtoria e portit, kemi rrugën “Dhimitër Konomi”, kemi rrugën e poliklinikës dhe me të gjithë këto krijojmë një tjetër situatë. Këtë pjesë duhet ta bëni me cilësi maksimale, sepse kjo është hyrja e re e Vlorës. Këtu duhet të ketë çdo gjë me standarde evropiane. Hymë në një qytet mesdhetar turistik, trotuaret duhet të jenë perfekt, ndriçimi duhet të jetë perfekt, gjelbërimi duhet të jetë i tillë. Në të dyja anët duhet të jetë e gjitha 2 me shirita pemësh të rritura pak, në mënyrë që brenda dy-tre vjetësh të krijojnë një kurorë dhe të hijezojnë. Pastaj do të vazhdojmë segmentin tjetër deri tek drejtoria e portit që të bëjmë standartizimin. Rëndësi ka që ky segment i hyrjes në këtë sezon të jetë komplet tjetër.”



Infrastrukturës rrugore të qytetit të Vlorës, iu shtua edhe një rrugë e re, tërësisht e rikonstruktuar, sipas të gjitha parametrave bashkëkohore. Rruga, e cila nis nga Bashkia e Vlorës deri në spitalin e qytetit, me gjatësi rreth 1 kilometër, është investim me vlerë rreth 59 milionë lekë. Ajo zëvendëson rrugën e vjetër dhe të ngushtë me shtresa tërësisht të amortizuara. Në pjesën më të madhe të rrugës së vjetër trotuaret mungonin, si dhe gjelbërimi dhe ndriçimi nuk ekzistonin. Tashmë rruga e spitalit ofrohet për qytetarët në kushtet më optimale të saj.



Kjo rrugë tashmë e përfunduar është e gjerë 6 metra dhe ka një korsi emergjence prej 3 metrash. Ajo është zgjeruar dhe pajisur me të gjithë sistemin e tubacioneve për kanalet e ujërave të bardha, me stola, si dhe e pajisur me sinjalistikën e duhur. Gjithashtu, sistemimet përgjatë rrugës, si hapësirat e gjelbra dhe rekreative krijojnë një mjedis çlodhës për banorët.



Kryeministri Rama, ndërsa përshkroi rrugën e re, pati biseda të shkurtra me banorët e saj, të cilët u shprehën se rruga u kishte sjellë një lehtësi shumë e madhe në përditshmërinë e tyre.



(marrë nga: www.kryeministria.al)