Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Vlorë, më 28 Nëntor 2015

Kryeministri Edi Rama inauguron çeljen e zyrës së re rajonale të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në qytetin e Vlorës


Kryeministri Edi Rama ishte sot në çeljen e zyrës së re rajonale të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në qytetin e Vlorës; zyrë e cila do të shërbejë si pikë koordinimi me agjencitë e tjera qendrore e vendore, si dhe donatorët për koordinimin dhe monitorimin e investimeve në zonë. Në takim merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, Drejtori i FSHZH-së Benet Beci, si dhe kryetarët e bashkive të rajonit të Vlorës, të majtë dhe të djathtë.


Në fjalën e tij z. Beci, pasi falënderoi të ftuarit për pjesëmarrjen në këtë takim, bëri një paraqitje të shkurtër të investimeve të kryera përgjatë këtyre dy viteve në rajonin e Vlorës, si dhe ato që planifikohen të nisin vitin e ardhshëm; investime që arrijnë vlerën prej 132 milion dollarë.
Lloji i investimeve të shpërndara në të gjithë territorin e rajonit është mjaft i diversifikuar dhe përfshin një gamë të gjerë projektesh, që nga ndërhyrjet në infrastrukturën bazë në nivel lokal, tek projektet transformuese urbane si Lungomare.


Deri tani në rajonin e Vlorës janë zbatuar dhe janë në përfundim rreth 18 projekte të infrastrukturës të investuara nga qeveria në kuadër të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve dhe projekteve të tjera zhvillimore në vlerën prej rreth 36 milion dollarë.



Fokusi i këtyre investimeve kanë qenë rikualifikimet urbane, infrastruktura rrugore dhe ujësjellësat në zonën bregdetare Himarë, Sarandë. Viti 2016 do të shënojë për Vlorën nisjen e projekteve të reja, bashkëfinancime të qeverisë shqiptare me donatorë të huaj. Projekti për Rrugën e Lumit të Vlorës, i cili ka një vlerë rreth 64 milion USD, si dhe projekti i financuar nga Banka e Këshillit të Europës, “Zhvillimi i Integruar i Zonës Bregdetare dhe Maleve përreth”, i cili parashikon për rajonin e Vlorës një portofol investimesh prej rreth 25 milionë Euro.Përsa i përket investimeve në Bashkinë Vlorë, Loti i parë i këtyre investimeve ka një vlerë prej rreth 5.2 milionë Euro. Ndërsa në vijën bregdetare të Jonit dhe Bashkinë Himarë, Loti i parë i investimeve do të ketë një vlerë prej 11.7 milionë Euro.


Duke marrë fjalën në takim, Kryeministri Rama u shpreh se rajoni i Vlorës përbën një hapësirë të rëndësishme strategjike për zhvillimin ekonomik e social të vendit dhe se ky program investimesh do ta kthejë në një histori suksesi. Por, kryeministri e vuri theksin tek rëndësia e hartimit të projekteve cilësore që garantojnë edhe impaktin pozitiv edhe jetëgjatësinë. “Edhe ato projekte që vijnë”, nënvizoi Kryeministri, “lënë për të dëshiruar. Në këtë aspekt, zyra e re do të shërbejë për të fuqizuar kapacitetet e projektimit dhe për të vazhduar vënien në jetë të një programi shumë të rëndësishëm zhvillimi me projekte strategjike për ekonominë, turizmin dhe për komunitetin në gjithë këtë territor që përfshin bregdetin e Jonit. Nuk kanë munguar dhe nuk na mungojnë paratë për të financuar këtë hapësirë, që është hapësirë strategjike për zhvillimin e vendit, zhvillimin e turizmit, zhvillimin e ekonomisë, zhvillimin social, por çështja është që duhet të kemi projektet dhe projektet mungojnë. Me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kemi bërë progres. Janë nga njëra anë projektet e financuara përmes FSHZH-së nga qeveria, dhe nga ana tjetër janë fondet e Bankës së Këshillit të Europës. Njerëzit me shumë të drejtë kanë padurimin për të parë rezultate dhe për të prekur ndryshimin për të cilin kanë votuar dhe ku besojnë fuqimisht. Kemi një potencial të madh në dorë dhe kemi mundësinë ta kthejmë në një histori suksesi. Janë volumi më i madh i financimeve, sepse është një qark me një rëndësi strategjike, mirëpo ky volum financimesh duhet të kthehet në vepra të prekshme.”


Kryeministri Rama u shpreh se të gjitha projektet e parashikuara krijojnë një bazë shumë të mirë për të filluar impaktin e një transformimi real. Kryeministri kërkoi angazhim maksimal të pushtetit vendor në këtë moment kyç të zhvillimit, i cili duhet të luajë një rol të rëndësishme në ndjekjen e projekteve. “Grupi i projekteve krijon një bazë shumë të mirë për të filluar impakti i një transformimi real. Që nga rruga e lumit të Vlorë, tek rruga hyrëse që duhet bërë me standarde reale europiane, deri tek ndërhyrjet e brendshme që plotësojnë projektin e Lungomares me të gjithë pjesët, këtu më pranë qendrës, edhe tek vetë bulevardi ku ka nevojë për ndërhyrje që, e përsëris, vetëm bulevardi i një qyteti turistik nuk është ai dhe duke vazhduar më poshtë me Vunoin, me Dhërmiun, me plazhin e Jalës.”


Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, tha se projektet do të mundësojnë shanse të reja zhvillimi. “Konfirmojmë edhe një herë, më së miri, një qasje ndryshe, një vëmendje të veçantë në shikim të hapësirës së rajonit tonë, një këndvështrim të ri, duke dhënë shanse të reja zhvillimi. Edhe një herë jam mirënjohës për këtë iniciativë, vlerësoj këtë vëmendje të veçantë të Kryeministrit të vendit për Bashkinë e Vlorës dhe rajonin tonë.”


Pas takimit të zhvilluar, Kryeministri u shpreh në një prononcim për mediat se zyra rajonale e FSHZH-së është një mekanizëm i ri, i cili vihet në dispozicion të komunitetit dhe bashkive pas reformës administrativo-territoriale dhe që do të funksionojë edhe në rajone të tjera. Duke siguruar se Vlora mbetet prioritet strategjik, Kryeministri theksoi se pavarësisht vështirësive të kalimit nga një periudhë kaosi dhe informaliteti në një epokë tërësisht të re, impakti i këtyre investimeve do të jetë gjithmonë e më i ndjeshëm.


Në përfundim të takimit u krye edhe nënshkrimi i një marrëveshje të investimit mes FSHZH-së dhe Kryetarëve të Bashkive Vlorë dhe Himarë, në kuadër të projektit të financuar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës me fokus zhvillimin e zonës bregdetare.