Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Gjakovë, më 19 nëntor 2015

Çelet në Gjakovë Zyra Rajonale e FSHZH-së për Zonën Ndërkufitare të Zhvillimit “Shqipëri – Kosovë”


Fondi Shqiptar i Zhvillimit organizoi sot në qytetin e Gjakovës ceremoninë përuruese të çeljes së Zyrës Rajonale për Zonën Ndërkufitare të Zhvillimit “Shqipëri – Kosovë” .


Zyra Rajonale e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, e cila ka selinë në ambientet e konsullatës shqiptare në Gjakovë, çelet nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Z. Edi Rama, në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Kosovë dhe me ndihmën e komunës së Gjakovës.


Zyrë Rajonale është një instrument konkret që do të jetësojë vullnetin politik të dy Qeverive për bashkëpunim në fushën e zhvillimit rajonal në zonat ndërkufitare Shqipëri-Kosovë.



Në këtë aktivitet morën pjesë bashkëpunëtorët dhe partnerët e FSHZH-së të përfshirë në këtë nismë, ku ndër të tjerë përmendim: përfaqësuesit e autoriteteve lokale të brezit kufitar në Shqipëri e Kosovë, përfaqësuesit e autoriteteve rajonale dhe aktorë të tjerë zhvillimorë në Kosovë.


Në fjalën e tij përshëndetëse Z. Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë, ndër të tjera u shpreh se hapja e kësaj zyre është dallandyshja e parë në fushën e zhvillimit ekonomik që do të japë fryte shumë shpejt.


E pranishme në këtë takim ishte edhe Zëvendës Drejtoresha e Kabinetit të Kryeministrit të Shqipërisë Znj. Eridana Çano e cila theksoi se kjo nismë e Kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama, është hap sa simbolik, ashtu edhe konkret për të shtrirë mes dy shteteve tona jo thjesht një institucion, por vizion zhvillimi të përbashkët. Kjo iniciative ka gjetur përputhshmëri me qasjen strategjike të Kryekomunares së Gjakovës. Znj. Çano përcolli në emër të Kryeministrit mesazhin e vendosmërisë për të çuar përpara projektin e madh të bashkimit të mendjeve e të vullneteve tona për zhvillimin e hapësirës shqiptare.


Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në fjalën e tij tha se nëpërmjet kësaj zyre do të bashkërendisim forcat për të bërë të mundur rritjen e projekteve të përbashkëta të zhvillimit. Gjithashtu ai theksoi se hapja e kësaj zyre lidhet me një koncept të ri të dy qeverive për ndërhyrje të koordinuara dhe bashkërendim të veprimeve për mirëqenien e këtij rajoni.


Gjithashtu, hapjen e zyrës rajonale e përshëndeti edhe Znj. Mimoza Kusari Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës. Fillimisht ajo u shpreh se është nder dhe ndjesi e posaçme që po përurohet kjo zyrë, e cila është shumë të domosdoshme dhe e rëndësishme, që ofron mundësinë e veprimeve konkrete për aktivitete të përbashkëta.


Në emër të bashkive të zonave kufitare të Shqipërisë, hapjen e kësaj zyre e përshëndeti Z. Bashkim Shehu, kryetar i Bashkisë së Kukësit.