Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë,më 24-25 Shtator 2015

Fjala përshëndetëse e Z. Beci, në Kongresin e 2-të Ndërkombëtar të Rrugëve në Shqipëri


Rrugët – fokusi i këtij kongresi – përbëjnë një nga asetet më të rëndësishme publike që zënë peshën më të madhe në kategoritë e investimeve publike që Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka zbatuar ndër vite në gjithë vendin.


Këto investime, veçanërisht në rrjetin e rrugëve dytësore e vendore, kanë patur ndikimin e tyre të dukshëm në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit tonë duke përmirësuar aksesin në shkolla, qendra shëndetësore, spitale dhe tregje; duke nxjerrë nga izolimi dhe hapur perspektiva të tjera zhvillimi të zonave të tëra; duke mbështetur bujqësinë, turizmin dhe të tjera ekonomi lokale dhe rajonale.


Studimet tona tregojnë se banorët kursejnë më shumë kohë, udhëtojnë me siguri dhe komoditet më të lartë dhe kanë shpenzime më të ulëta për mirëmbajtjen e makinave.



Programi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale, më i madhi ndonjëherë dhe i dedikuar tërësisht investimeve në infrastrukturën rrugore, i financuar në një vlerë prej 368 milionë USD nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore, OFID, Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim, Bashkimi Evropian, BERZH, BEI, IDB, KfW, etj, ka rehabilituar deri më tani rreth 1200 km rrugë dytësore dhe lokale.


Këto asete të rëndësishme të ndërtuara, jo vetëm në kuadër të PRDL, dhe përfitimet që burojnë nga to, kushtëzojnë sigurimin e një programi të mirë planifikuar të mirëmbajtjes, si dhe në të njëjtën kohë ndryshimin e filozofisë sipas së cilës i qasemi çështjes së mirëmbatjes. Bazuar në studime të bëra viteve të fundit, qasja reaktive ndaj mirëmbajtjes ka rezultuar në kosto të mëdha riparuese, apo ri-investime të rrugëve, ndërkohë që qasja parandaluese përfshin mirëmbajtje në kohë, të pavonuar dhe kosto modeste. Pa mirëmbajtje, përfitimet që burojnë nga investimet nuk janë afatgjata dhe rrugët dëmtohen me shpejtësi.


Bazuar në këtë kuptim të rëndësisë së mirëmbajtjes, FSHZH me mbështetjen e Bankës Botërore dhe të donatorëve të tjerë ka qenë e angazhuar në vijimësi në forcimin e kapaciteteve lokale për realizimin e mirëmbajtjes së rrugëve lokale. Një program trajnimi është hartuar dhe kurse trajnimi janë ofruar në gjithë vendin duke përfshirë të zgjedhurit dhe stafin lokal të çdo njësie të qeverisjes vendore.


Megjithatë, përgjegjësia e mirëmbajtjes edhe pse është lokale, duhet të realizohet brenda një sistemi qendror që siguron se mirëmbajtja e rrugëve bëhet uniforme, efektive dhe në mënyrë konsistente nga të gjitha bashkitë. Kuadri i ri i krijuar nga reforma administrative dhe territoriale krijon hapësira më të mëdha për bashkitë e reja, kapacitete lokale të përmirësuara dhe burime financiare të rritura për të realizuar kënaqshëm shërbimin publik të mirëmbajtjes së rrugëve.


Ndaj, për të dhënë një kontribut domethënës në krijimin e një sistemi efektiv të mirëmbajtjes së rrugëve, FSHZH së bashku me asistencë ndërkombëtare përgatiti Dokumentin e Politikave për Rrugët Rajonale dhe Lokale: Mbështetje për Zhvillimin e Sistemit të Qëndrueshëm të Mirëmbajtjes së Rrugëve.


Synimi final i studimit ishte që bazuar në një njohje të mirë të implikimeve të Reformës territoriale në mirëmbajtjen e rrugëve të konkludonim në një plan pune me masa që duhen të ndërmerren për të siguruar që 61 bashkitë e reja, janë të afta të kryejnë mirëmbajtjen e rrugëve në mënyrë efektive. Dokumenti u nda me aktorët kryesorë si në nivel qendror ashtu edhe lokal dhe mori konsensus në Takimin Kombëtar në prill të 2015-tës.


Si rrjedhim, masat e rëna dakort për t’u ndërmarrë me qëllim sigurimin e një sistemi efektiv të mirëmbajtjes së rrugëvë janë:


1. Rishikimi i klasifikimit të rrugëve i cili identifikohet si një nevojë që buron nga reforma territoriale dhe ndryshimi i kontekstit lokal. Ky rekomandim lidhet me alokimin dhe qartësimin e përgjegjësive të mirëmbajtjes në nivel kombëtar e lokal.


2. Inventarizimi dhe katalogimi i gjithë rrjetit rrugor. Kjo masë do të përcaktojë qartë rrugët, sasinë e kilometrave dhe gjendjen fizike të tyre për të cilat çdo bashki e re ka përgjegjesinë e plotë të mirëmbajtjes. Aktualisht ka probleme në rrjetin e inventarizuar të rrugëve rurale.


3. Vendosja e niveleve të shërbimit shoqëruar me standarde të mirëmbajtjes. Kjo masë do të përcaktojë standardet e mirëmbajtjes për kategori të ndryshme të rrugëve vendore.


4. Përgatitja e kontratave tip për forma të ndryshme të mirëmbajtjes të përshtatura për nivelet e shërbimit në rrugët vendore.


5. Ofrimi i trajnimeve për stafin teknik të 61 bashkive rreth çështjeve të mirëmbajtjes së rrugëve përfshirë inventarizimin, buxhetimin, prokurimin e mbikqyrjen e punimeve të mirëmbajtjes.


Me mbështetjen financiare të BERZH dhe BEI-t, kemi nisur zbatimin e masave të përmendura. Duke u koordinuar me nismën e Qeverisë për inventarizimin e rrjetit rrugor do të arrijmë që brenda vitit 2016 të katalogojmë rrjetin rrugor rural në mënyrë dixhitale dhe GPS; si dhe të zbatojmë masat e përmendura më sipër.


Në përfundim të zbatimit të këtyre masave, mund të themi se sistemi efektiv i mirëmbajtjes së rrugëve është krijuar dhe bashkitë e reja janë të afta të përmirësojnë në mënyrë të ndjeshme zbatimin e përgjegjësisë që kanë për mirëmbajtjen e rrugëve në mënyrë uniforme dhe efektive në gjithë vendin.


FSHZH në kuadër të aktivitetit të vet do të ndërveprojë me gjithë bashkitë për të asistuar kryerjen e këtij shërbimi publik dhe do të kujdeset vazhdimisht për funksionimin e sistemit efektiv të mirëmbajtjes së rrugëve.