Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

10 maj 2015

Më në fund 24 orë ujë për Dhërmiun turistik


Banorët e Dhërmiut dhe pushuesit që do të vizitojnë fshatin turistik do të kenë ujë të pijshëm 24 orë.


Dy ujësjellës të rinj, të standardeve moderne, do të vihen në dispozicion të zonës për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë problemeve të mungesës së ujit. Kryeministri Rama ishte në terren për të inspektuar punimet për ujësjellësit që do të jenë gati për të hyrë në funksionim pas një muaji, duke bërë të mundur që të jetë gati përpara fillimit të sezonit turistik. Projektet do të vihen në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.


Ujësjellësi i fshatit Dhërmi është njeri prej tyre që do të realizojë furnizimin me ujë të këtij fshati. Aktualisht furnizimi me ujë i fshatit Dhërmi bëhet nga burimi i lumit të Dhërmiut. Ne infrastrukturën ekzistuese depoja e ujit, tërësisht jashtë kushteve higjienike, nuk përmbushte nevojat e banorëve të fshatit meqenëse ishte tejet e amortizuar. Ndërsa rrjeti i transmetimit ishte bërë pre e grabitësve dhe ndërhyrjeve të jashtëligjshme.


Drejtuesi i punimeve informoi se është shtuar rrjeti i transmetimit të ujit, me 2600 metra linear tubacione, të standardeve nga më të lartat. “Krahas depos është shtuar edhe rrjeti i transmetimit të ujit, rreth 2600 metra linear tubacione sipas standardeve më të mira. Vlen për tu theksuar që Fondi Shqiptar i Zhvillimit gjatë implementimit të dy projekteve Dhërmi dhe Fresko, ka aplikuar standardet e KFV-së gjermane”.



Këto ndërhyrje do të përmirësojnë sasinë e prurjeve në një masë të konsiderueshme, duke përfituar kështu një furnizim të vazhdueshëm, të shtrirë në kohë dhe pa humbje, për 1260 banorët përfitues.


Ndërsa, zona e plazhit, në Dhërmi furnizohet nga burimi Fresko, prej të cilit banorët merrnin në shumicën e rasteve ujë të pakontrolluar, si rezultat i ndërhyrjeve private në rrjet.


Me investimin në këtë ujësjellës të dytë, do të ndërtohet një rezervuar i ri, si dhe do të përmirësohen linjat e furnizimit ekzistues. Nga ky investim do të përfitojnë banorë të zonës si dhe turistët e shumtë që frekuentojnë këtë zonë të rëndësishme turistike.


Kryeministri Rama u interesua nëse ujësjellësit do të jenë gati për sezonin e turistik, dhe teksa mori një përgjigje pozitive për këtë, u shpreh se investimi i jep zgjidhje përfundimtare që problemi, që për fat të keq daton në dekada. “Mbas 1 mijë vjetësh do të kenë 24 orë ujë të gjithë ata që vinë pushojnë në Dhërmi, ky është lajm shumë i mirë. Plus që nga operatorët turistik kemi marrë informacionin që gjithçka është e prenotuar dhe kërkesat sidomos nga vendet e Europës veriore është shumë më e lartë se më parë. Sidoqoftë lajmi i madh është që uji nuk do të mungojë më në Dhërmi për të gjithë pushuesit dhe banorët pa diskutim. Gjë e vogël në dukje por shumë e madhe po të kemi parasysh se çfarë piciri kanë hequr njerëzit ne këto dekada.


(www.kryeministria.al)