Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë, më 6 maj 2015

Drejt përfundimit ujësjellësi i fshatrave Bushkash, Lundër, Kokërdhok dhe qytezës Ulëz, në Rrethin e Burrelit


Ndërtimi i ujësjellësit të fshatrave Bushkash, Kokërdhok, Lundër dhe qytezëz Ulëz, në Rrethin e Burrelit, tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare. Ky investim po kryhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të Programit “Fondi Investimeve Sociale IV” (SIFIV) financuar nga Qeveria Shqiptare dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW). Punimet për ndërtimin e këtij ujësjellësi kanë filluar në shtator 2014 dhe pritet të përfundojnë në qershor 2015.


Me anë të Programit SIF IV, financuar nga KfW në vlerën 5 milionë Euro dhe 0.8 milionë Euro të tjera që janë kontribut lokal nga NJQV-të përfituese synohet ndërtimi i 15 skemave të ujësjellësave në Qarqet, Kukës, Shkodër dhe Dibër, të cilët do të sigurojnë furnizimin me ujë higjienikisht të pastër për rreth 20,000 banorë në zonat rurale. Ky Program ofron gjithshtu edhe asistencë teknike në ngritjen e strukturës së menaxhimit, krijimit të shërbimit të shitjes, faturimit dhe mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit, si dhe trajnim të stafit teknik e financiar të Njësive të Qeverisjes Vendore.



Banorët e fshatrave Bushkash, Lundër dhe Kërdhok kanë vuajtur nga mungesa e ujit të pijshëm të cilin e siguronin në burimet larg banesave të tyre me krahë ose me kafshë pune. Edhe një pjesë e vogël e familjeve që kishin mundur të hapnin puse, konsumonin ujë jo të pastër duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre.


Falë këtij investimi rreth 2269 banorë do të furnizohen 24 orë në ditë me ujë të pijshëm dhe të pastër higjienikisht. Për ndërtimin këtij ujësjellësi është shfrytëzuar një burim uji i cili furnizon tre rezervuare me një kapacitet total prej 145m³.Gjatësia e përgjithshme e rrjetit shpërndarës të ujit është 40 km.Projekti parashikon rreth 308 lidhje familjare në rrjetin e ujësjellësit, që do të pajisen edhe me matësa uji.