Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë më 25 mars, 2015

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miraton dy marrëveshje për financimin e projekteve për furnizimin me ujë të zonave rurale


Bëhet fjalë për projektligjin për “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, “Marrësi”, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Fondit Shqiptar për Zhvillim, “Agjencia zbatuese e projektit”, dhe KfW Frankfurt am Main, “KfW”, për fondet IPA të Bashkimit Evropian për furnizimin me ujë të zonave rurale III”.


Projektligji i dytë ishte ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, “Marrësi”, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Fondit Shqiptar për Zhvillim, “Agjencia zbatuese e projektit”, dhe KfW Frankfurt am Main, “KfW”, për masat shoqëruese për furnizimin me ujë të zonave rurale III”.



I ftuar në mbledhje ishte drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, z. Benet Beci si edhe përfaqësues të këtij institucioni. Fillimisht, relatori i këtyre dy projektligjeve z. Namik Kopliku u shpreh se kjo marrëveshje ka për qëllim akordimin e një granti në shumën 9 803 922 euro që do të përdoret për rehabilitimin, rindërtimin ose ndërtimin e sistemeve të ujësjellësve ruralë dhe, nëse është e zbatueshme, për masa plotësuese për ujërat e zeza në raste emergjente.


Sipas z. Kopliku, ky projekt, i cili vjen në fazën e tij të tretë, ka si objektiv rehabilitimin, rindërtimin ose ndërtimin e sistemit të furnizimit me ujë në zonat rurale dhe, nëse paraqitet nevoja, marrjen e masave urgjente plotësuese ndaj ndotjes së ujit. Qëllimi i projektit është përdorimi i skemave të ujësjellësve të rehabilituar ose ndërtuar, për të kontribuar në përmirësimin e furnizimit të popullsisë me ujë të pijshëm dhe me tarifa të pranueshme e që mbulojnë kostot e furnizimit në zonat e projektit, i cili do të shtrihet në të gjithë vendin dhe do të fokusohet kryesisht në sistemet e ujësjellësve me rënie të lirë, në fshatrat ruralë me numër të lartë popullsie të qëndrueshme.


Ndërsa, z. Beci u shpreh se programi i ujësjellësve ruralë është një fazë e avancuar e një programi të filluar më parë në formën pilot i lokalizuar në disa zona të specifikuara në Shqipëri.


“Ky program vjen sot si një paketë më e plotë financimi për investimin në zonat rurale në të gjithë Shqipërinë. Paketa e financimit parashikon të furnizojë me ujë për 24 orë 70 skema ujësjellësish dhe nëpërmjet këtij projekti që do të zgjasë rreth 5 vjet do të furnizojmë me ujë në total rreth 75 mijë banorë”, tha z. Beci para anëtarëve të komisionit.


Pas prezantimit deputetët i drejtuan pyetje të ftuarve për detajet e financimit dhe në cilat zona të shtrohet ky projekt. Në fund, komisioni miratoi me konsensus dy projektligjet.


(www.parlament.al)