Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë më, 21 mars 2015

Kryeministri Rama inspekton punimet për rehabilitimin e segmentit rrugor "Rrethrrotullimi i Doganës - Mbikalimi Kashar"


Ditën e shtunë, datë 21 mars, 2015, Kryeministri Rama inspektoi punimet për rehabilitimin e segmentit rrugor "Rrethrrotullimi i Doganës - Mbikalimi Kashar"; projekt i cili synon të lehtësojë lëvizjen dhe të shtojë sigurinë për qytetarët në një pjesë të aksit rrugor "Tiranë - Durrës", si dhe të transformojë hapësirat e rrugëve dytësore në një ambient urban me infrastrukturë të përmirësuar.


Gjatë kësaj vizitë ai shoqërohej edhe nga Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i FSHZH-së. Ky projekt financohet nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet Fondit për Zhvillimin Rajonal dhe po realizohet në partneritet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Ministria e Mjedisit.



Projekti që ka nisur të zbatohet në tetor të vitit 2014 pritet të përfundojë brenda muajit qershor 2015. Ky projekt do të ndërhyjë në: rimodelimin e planit të rrugës dhe rehabilitimin e tapetit të asfaltit kryesor; zëvendësimin e trafikndarësit të betonit me një vaskë të brendshme për lule me një dimension prej 50 cm; zëvendësimin dhe zgjerimin e impiantit të ndriçimit në aksin kryesor dhe vendosjen e ndriçimit pedonal në rrugët dytësore; ndarjen e superstradës nga rruga dytësore, duke e bërë kësisoj rrugën ndërurbane të mbrojtur nga futjet rastësore nga rrugët dytësore të këmbësorëve, mjeteve lëvizëse, kafshëve etj; mbulimin, ngjeshjen dhe ristrukturimin e kanaleve kulluese anësore dhe gjelbërim përkatës të nevojshëm duke shmangur përmbytjet dhe përmirësuar estetikisht ambientin; riplanifikimin dhe ridizenjimin e mbikalimeve për këmbësorët duke i vendosur në rrugët dytësore për të evituar hyrjen e këmbësorëve në superstradë; si dhe ribërjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale me përdorimin e teknologjive më të përditësuara.


Gjatë këtij inspektimi, drejtuesit e punimeve informuan Kryeministrin se aktualisht janë realizuar sheshet për vendqëndrimet e autobusëve në rrugën dytësore, është ndërtuar i gjithë trafikndarësi, ka përfunduar mbushja me zhavorr dhe me dhe, si dhe ka vazhduar paralelisht vendosja e shtyllave të reja të ndriçimit. Po ashtu është realizuar mbjellja e palmave, si dhe pemëve të tjera. Këto ndërhyrje do t’i japin një pamje të re hyrjes në kryeqytet, të standardeve europiane.


Kryeministri Rama theksoi se për të krijuar një zonë harmonike në të gjithë elementet e saj, në bashkëpunim me bizneset do të ndërmerret edhe një projekt për unifikimin e hapësirës përpara aktiviteteve tregtare.