Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Shkodër, më 7 mars 2015

Mbahet takimi i parë me grupet e interesit për konceptin muzeografik të Projektit për “Restaurimin dhe Muzealizimin e Fototekës Kombëtare ‘Marubi’”


Në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Ambasadës Zviceriane për financimin e muzealizimit të Fototekës Kombëtare "Marubi", ditën e shtunë më 7 mars u zhvillua në qytetin e Shkodrës takimi i parë me grupet e interesit në lidhje me plotësimin e konceptit të projektit muzeografik.


Në këtë takim ishin të ftuar projektuesi hollandez i Projektit për “Restaurimin dhe Muzealizimin e Fototekës Kombëtare Marubi” Z. Jesus Hernandez Mayor, Znj. Kim Knoppers, kuratore pranë muzeut të fotografisë “FOAM” në Amsterdam, Z. Roberto Del Grande, ekspert nga Qendra e Arkivimit, Katalogimit dhe Dixhitalizimit në Regjionin e Friuli-Venenezia Giulia, Itali, përfaqësues të UNDP-së, Z. Zef Paci, historian arti dhe profesor në Akademinë e Arteve Tiranë, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Shkodër, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Fototekës Marubi, dhe institucioneve të tjera kulturore lokale.



Pas prezantimit të projektit arkitektonik dhe atij muzeografik, si dhe aspekte të tjera të ecurisë së projektit të Fototekës “Marubi”, pjesëmarrësit kontribuan me idetë e tyre për plotësimin e konceptit muzeografik të Ekspozitës së Përhershme dhe Ekspozitës së Përkohshme.


Znj. Kim Knoppers,ndau me të ftuarit temën e “Kuptimit global të ekspozitave” duke e referuar Marubin në një perspektivë përtej kufijve lokale në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëria afatgjatë e këtij institucioni në terma kulturore dhe ekonomikë. Tema të tjera të këtij takimi ishin përcaktimi i profileve të ekspertëve, axhenda e aktiviteteve vitin e parë pas hapjes së muzeut, aktivitete të mundshme për t’u organizuar në hapësirën e ekspozitave të ndryshme.


Në muajt në vazhdim është planifikuar një takim i dytë për të finalizuar plotësisht konceptin e muzealizimit të Fototekës “Marubi”.