Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë, më 20 shkurt 2015

Këshilli Drejtues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit miraton buxhetin për vitin 2015


Ditën e enjte, datë 19 shkurt 2015, ora 8.30 u mbajt mbledhja e Këshillit Drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, nën drejtimin e Z.Niko Peleshi, Zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave, në cilësinë e Kryetarit të këtij Këshilli.


Mbledhja kishte në rend të ditës miratimin e raportit të aktivitetit të FSHZH-së për vitin 2015 si dhe buxhetit të këtij institucioni për vitin 2015.


Prezantimi i aktivitetit të FSHZH-së për vitin 2014, u paraqit nga Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Në fjalën e tij Z. Beci përmendi si arritje të vitit 2014 menaxhimin e suksesshëm të Programeve me finacim të brendshëm dhe të huaj. Ai theksoi se gjatë vitit 2014 FSHZH përveç rolit në asistencën teknike për Fondin për Zhvillimin e Rajoneve (FZHR), u angazhua edhe në zbatimin e 30 objekteve të ndryshme me vlerë rreth 40 milionë USD.



Një tjetër pikë ku u ndal Z. Beci kishte të bënte me Programin “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”, i cili ka shënuar zbatimin e 52 segmenteve rrugore dhe urave në një gjatësi totale prej 432 km.


Ndërsa në kuadër të Programit të Ujësjellësve Rural I & II, Z. Beci informoi se kanë përfunduar punimet infrastrukturore për 29 skema ujësjellësish në qarqet Dibër, Kukës dhe Shkodër dhe njëkohësisht në kuadër të “SIF IV” janë përzgjedhur për financim 15 skema të tjera ujësjellësash.


Një aktivitet tjetër i trajtuar nga Z. Beci në këtë takim kishte të bënte me angazhimin e stafit të FSHZH me vlerësimin e nevojave për ndërhyrje dhe përgatitjen e projekteve të reja, aplikimin pranë donatorëve dhe sigurimin e fondeve për financim. Gjithashtu një vëmendje e veçantë, sipas Z. Beci, i është kushtuar gjatë vitit 2014 edhe përgatitjes së programeve të reja të investimeve, me fokus në zhvillimin urban dhe turistik, në funksion të programit dhe strategjive të reja qeverisëse.


Gjithashtu Bordit iu prezantua edhe Raporti i aktivitetit të Auditit të Brendshëm për vitin 2014 si dhe Plani Strategjik (2015-2019) dhe Plani Vjetor i Auditimit për vitin 2015.


Më pas mbledhja vazhdoi me miratimin e aktiviteteve të vitit 2015 dhe diskutimin e draft-buxhetit. Këshilli Drejtues pas këtyre diskutimeve miratoi buxhetin për vitin 2015 me një vlerë prej 69,75 milionë Euro.