Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë më, 31 janar 2015

Kryeministri Rama inspekton punimet e Projektit “Rehabilitimi dhe Gjelbërimi i Bregut të Liqenit të Ohrit”


Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, kryetari i Bashkisë Pogradec Artan Shkëmbi dhe Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit inspektoi, ditën e premtë datë 30 janar 2015, punimet që po kryhen përgjatë segmentit “Lin-Pogradec”. Projekti “Rehabilitimi i Bregut të Liqenit të Ohrit” i financuar nga Qeveria Shqiptare synon të kthejë në identitet Bregun e Liqenit duke e kombinuar me një sistem rrugor bashkëkohor, si dhe me ambiente rekreative për banorët dhe turistët. Ndërhyrja përfshin tre elemente kryesore: rehabilitimin e segmentit rrugor “Lin-Pogradec”, ndërtimin e shëtitores dhe rehabilitim-gjelbërimin e Bregut të Liqenit. Komponentë të ndryshëm të projektit zbatohen nga FSHZH dhe ARRSH.



Në këtë kuadër FSHZH po zbaton komponentin e gjelbërimit të projektit, i cili aktualisht është në fazën e prokurimit. Në përputhje me projektin e rrugës parashikohet të gjatë të të mbillen 5,029 pemë të tipit bli, në një ose dy breza, 376 shkurre dekorative të tipit dëllinjë, si dhe do të kryhet mbjellje me bar e skarpatës në një sipërfaqe prej 44,514 m² me teknikën e hidrombjelljes.


Kryeministri gjatë këtij inspektimi ndër të tjera theksoi se të gjitha këto ndërhyrje do ta kthejnë bregun e liqenit të Ohrit në një nga asetet e çmuara turistike të vendit.


“Objektivi është që kur të fillojë sezoni të jemi në kushte të tjera komplet. Të jetë gjithçka e kalueshme dhe brenda vitit, ne ta kemi kryer totalisht si projekt, jo vetëm rrugën, por gjithë parkun, e rikthyer pas 30 vitesh siç nuk ka qenë para 30 vjetësh, me një rehabilitim që e bën praktikisht një nga zonat më të bukura turistike të rajonit dhe pa diskutim e kthen si zonë turistike me vlera të posaçme nga pikëpamja ekologjike, nga pikëpamja e peizazhit, e natyrës dhe patjetër, edhe nga pikëpamja e lëvizjes.” - u shpreh Kryeministri Rama.